Amazon sfidon magazinat e mëdha

14/12/2013 00:00

Amazon Fresh, shërbimi i kolosit të shitjeve online për produktet
ushqimore, nga perimet e frutat deri tek ushqimet e ngrira dhe ato
gjysmë të gatshme, sapo ka nisur të aplikohet në San Francisko, pasi u
testua në Siatëll dhe Los Anxheles.

Por kompania e themeluar nga Jeff Bezos synon më shumë. Vitin e ardhshëm, sipas informacioneve të “USA Today”, shitësi elektronik do të nxjerrë në Shtetet e Bashkuara shërbimin “Pantry” (depo ushqimesh), përmes të cilit do të shesë mallra të konsumit të përditshëm, nga sapuni deri tek ushqimi për qentë. Një sfidë kjo për zinxhiret amerikane të supermarketeve.

Nga dispozitivët e familjes Kindle tek dorëzimet e porosive me avionë të telekomanduar dhe tek blerja e “Washington Post”, kompania e Bezzos nuk rresht kurrë së eksperimentuari dhe zgjeruari horizontet e saj.

Amazon Pantry, sipas së përditshmes amerikane, pritet të nisë funksionimin vitin e ardhshëm dhe fillimisht vetëm për klientët e Amazon Prime, siç njihen ata që me një pagesë vjetore përfitojnë lehtësime në çmimet e dorëzimeve të porosive.

Top Channel