Investimet italiane në Shqipëri

13/12/2013 00:00

Në rajonin e Puljas, në Itali, është zhvilluar Konferenca për Energjinë e Rinovueshme, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare diskutoi me sipërmarrës italianë të këtij sektori mundësitë e shtrirjes së investimeve në këtë fushë edhe në vëndin tonë.

Kryeministri Rama zhvilloi një takim edhe me guvernatorin e Rajonit të Pulias, Nichi Vendola, bashkë me të cilin dha këtë prononcim për median.

“Ne jemi shumë të interesuar për shkëmbimin ekonomik midis sipërmarrjeve tona. Për ne, Shqipëria është vend motër dhe pjesë e vlerësuar e Europës që ëndërrojmë dhe duam. Ne i konsiderojmë shqiptarët ndërtues të Europës dhe i ndjejmë pjesë të saj dhe nga ky këndvështrim do të bëjmë gjithçka që mundemi për të pasur si dhuratë prezencën e tyre, të pasurimit të historisë së rrugëtimit të Bashkimit Europian”, deklaroi Vendola.

“Në këtë vizitë kam ardhur të nënvizoj se edhe Shqipëria përfaqëson sot një tokë shprese për sipërmarrësit italianë. E kemi filluar nga Pulia këtë udhëtim, që do të shtrihet në disa etapa e në disa muaj, për të përcjellë një mesazh të thjeshtë e të qartë: Ne i presim krahë hapur të gjithë ata sipërmarrës që duan të ndërkombëtarizohen, duke përfituar nga kosto e punës konkurruese, nga një taksim shumë konkurrues dhe nga vullnet shumë i madh nga ana qeverisë sonë për të lehtësuar të gjitha proçedurat dhe për të bërë të mundur që ata që kanë përshkruar tashmë një rrugë të rëndësishme në Shqipëri, të pasohen nga të tjerë, që sot ndoshta do të duan më shumë frymëmarrje për sipërmarrjet e tyre”, tha nga ana e tij Rama.

Zyra e shtypit në Kryeministri njofton se gjatë vizitës dyditore në Itali, kryeministri zhvilloi një seri takimesh me sipërmarrës italianë në Romë, anëtarë të Konfindustrias së shtetit fqinj, ku u diskutua për rritjen e mundësisë së investimeve në Shqipëri.

Top Channel