E “premtja e mallkuar”, çfarë duhet të dini

13/12/2013 11:30

Të gjithë ata që po u shkojnë gjërat ters ditën e sotme, duhet të qetësohen dhe të presin të ndërrohet data në kalendar… është e premte 13.

E “premtja e mallkuar” është një bestytëni kristiane, e cila vjen nga fakti që dita kur Krishti u kryqëzua ishte e premte, ndërsa ai që tradhëtoi ishte Juda, i 13-ti midis dishepujve të tij.

Sipas vlerësimeve, më shumë se 60 milion persona në të gjithë botën ndikohen shumë nga kjo ditë dhe preferojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Frika nga e premjta e mallkuar është një fobi, e cila nga greqishtja quhet paraskevidekatriaphobia. Data 13 dhe e premtja konsiderohen secila si ters, por kur bashkohen, kombinimi është “katastrofik”. Nëpër disa linja aeronautike, prej kohësh radha 13 nuk figuron më.

Këto janë disa të dhëna të tjera që duhet të dini për të premten e mallkuar

Në vitet e ardhshme
Lajmi i mirë është se e premte 13, do të jetë vetëm një ditë gjatë 2014-s, por tersi do të rikthehet me dy ditë në 2015-n. Megjithatë, që të regjistrohen tre të premte të mallkuara brenda vitit, siç ndodhi në 2013-n, duhet të pritet 2026-ta.

Fobi e vërtetë
”Friggatriskaidekaphobia” është emri shkencor i fobisë së kësaj date. Ekzistojnë edhe dy fobi të tjera, ajo nga numri 13 e quajtur “triskaidekaphobia” dhe ajo nga e premtja, e quajtur “skeviphobia”.

Kati i 13-të
Ndërsa heqja e radhës së 13-të nga linjat ajrore ndodh prej shumë vitesh tashmë, së fundmi edhe shumë qiellgërvishtës e kalojnë këtë kat, duke shkuar nga 12-ta, menjëherë tek 14-ta. Gjithashtu, tek ashensorët numri 13-të konsiderohet përgjithësisht i zhdukur.

Bestytni apo e vërtetë?
72% e njerëzve të anketuar së fundmi nga “The Mirror”, pranojnë se në datën 13 kanë përjetuar përvoja të këqija, në lidhje me çështje pune apo çështje të tjera personale.

E “premtja e mallkuar” i kushton ekonomisë
E “premtja e mallkuar” i kushton rëndë ekonomisë botërore, veçanërisht linjave ajrore që në këto ditë përballen me fluturime pothuajse të boshatisura. Sipas një studimi të realizuar nga një instutut amerikan, kjo datë shkakton qindra milionë dollarë dëme në ekonomi.

Presidentët i trembën 13-tës
Sipas “Huffington Post”, ish-presidenti i SHBA-ve, Franklin D. Roosevelt ka qenë një prej atyre që besonin më shumë tek tersi i të premtes së mallkuar. Ai refuzonte çdo pritje ku ishin 13 të ftuar dhe gjithashtu nuk udhëtonte kurrë në datën 13.

13-ta na sugjestionon
Sipas Thomas Gilovich, kreu i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Kornuellit, truri jonë lidh automatikisht 13-të me legjendat e tersit që shkakton. “Nëse diçka e keqe ndodh në datën 13, kjo datë dhe ajo ndodhi do të qëndrojnë gjithmonë të bashkuara në trurin tonë, të ndikuar nga sugjestionimet e mëparshme dhe mitet urbane mbi këtë datë”.

Nuk ka vit pa një të “premte të mallkuar”
Për ata që besojnë tek ky supersticion, ka një lajm të keq. Nuk mund të ndodhë kurrë që një vit të mos ketë të paktën një të premte me datën 13. Shpesh ndodh të jenë dy ditë të tilla, ndërsa në raste të rralla, mund të jenë deri në tre.

Top Channel