Smogu, ndryshojnë rregullat e aviacionit në Kinë

12/12/2013 18:00

Smogu në Pekin është bërë aq i zakonshëm, sa që Autoriteti i Aviacionit Civil në Kinë vendosi që të bëjë të detyrueshëm për lejimin e përdorimit të aeroporteteve të kryeqytetit njohjen e fluturimit instrumental.

Kjo do të thotë se të gjithë pilotët që realizojnë ulje-ngritje në këto aeroporte, pavarësisht madhësisë së mjetit që pilotojnë, duhet të jenë në gjendje që të operojnë vetëm nëpërmjet instrumentave të bordit, pa u orientuar me shikimin jashtë kabinës.

Vendimi i autoriteteve u motivua nga vonesat gjithmonë e më të shumta që po ndodhin në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit për shkak të shikueshmërisë zero.

Sipas Agjensisë Shtetërore Kineze “Xinhua”, së bashku me aeroportet përreth Pekinit, pilotët që nuk janë të trajnuar të realizojnë ulje duke u orientuar vetëm nëpërmjet aparaturave të bordit do të ndalohet të përdorin edhe dhjetë aeroportet e tjera më të ngarkuar të vendit.

Urdhëresa do të hyjë në fuqi në datën 1 Janar, për t’i lënë kohë kompanive që të përzgjedhin pilotët e përshtatshëm, ndërsa për pilotët individualë do të nevojitet marrja e një liçense të posaçme.

Top Channel