PE miraton rezolutën për Shqipërinë

12/12/2013 00:00

Parlamenti Europian votoi rezolutën për Shqipërinë, në të cilën thuhet
se “Këshilli duhet ta bëjë Shqipërinë zyrtarisht kandidate për
anëtarësimin në BE, pa vonesë”.

“Po dërgojmë një mesazh unanim ndaj Këshillit: Shqipëria meriton t’i jepet statusi kandidat. Avancoi axhendën e reformave dhe ka arritur një nivel të ri të pjekurisë politike përmes kalimit të duhur të pushtetit në paqe pas zgjedhjeve të qershorit”, shprehet menjëherë pas votimit në një njoftim për shtyp raportuesi Nikola Vuljaniç.

Rezoluta e Parlamentit Europian vlerëson se partitë politike dhe shoqëria shqiptare duhet të përmirësojnë frymën e dialogut dhe kompromisit. Në të vërehet se korrupsioni dhe pandëshkueshmëria janë mbizotëruese dhe nënvizohet nevoja për refomat e sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të të gjitha niveleve, trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore.

“Një sistem drejtësie plotësisht i pavarur, efiçent, i drejtë dhe më shumë i parashikueshëm do të mund të kthente besimin e qytetarëve dhe biznesit ndaj gjyqësorit”, sipas eurodeputetëve.

Në rezolutë kërkohet ndaj autoriteteve shqiptare që të merren me zbatimin e varfër të ligjit dhe ekonominë e gjerë informale, me politikat sociale dhe punësimin dhe të krijojnë një administratë të fortë publike.

PD përshëndet votimin e PE

Partia Demokratike përshëndeti rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian dhe tha se ky është një vlerësim për përpjekjet e bëra për integrimin në BE.

Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi se në dokument vlerësohen zgjedhjet dhe kalimi i butë i tranzicionit, sipas saj, meritë e Partisë Demokratike.

“PE në një votim historik i tha po rezolutës që mbështet Shqipërinë në marrjen e statusit kandidat për anëtarësim të plotë në BE. PE me këtë rezolutë, ka njohur përpjekjet e Shqipërisë, shoqërisë tonë, politikës dhe vecanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit për arritjen e rezultateve në rrugën jo të lehtë në përmbushjen e 12 prioriteteve të caktuara nga KE duke plotësuar detyrimet e vendosura në 2010, në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi më i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu theksohet, me një amendim edhe roli që ka opozita në procesin e rëndësishëm të integrimit të plotë të vendit. PD e vlerëson dhe e konsideron këtë akt një gur kilometrik në aspiratën tonë për t’u bërë pjesë e familjes Europiane”, tha deputetja, Majlinda Bregu.

Top Channel