Kryeministri italian Enrico Letta ka theksuar se Italia do të lobojë, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, pas pak ditësh.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Letta ka qenë më se i qartë, duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria e re, ndërkohë që premtoi mbështetje të fortë me vendet, që – siç ai theksoi – po bëjnë një lloj rezistence për të dhënë përgjigje pozitive.

“Për ne nuk ka asnjë dyshim. Për ne, sot ekzistojnë mundësitë, që Shqipëria të marrë një përgjigje  pozitive, dhe Shqipëria e di, që ka mbështetjen tonë të plotë. Diskutuam dhe vlerësuam format e mënyrat se si duhet të punojmë në ditët e ardhshme, për t’i mbushur mendjen atyre vendeve, që po bëjnë ende rezistencë, e lidhur kjo me aspekte të veçanta. Kryeministri Rama e di, që familja europiane është mjaft e gjerë dhe mjaft komplekse. Puna që do të bëj, që do të bëjmë këto ditë me këto vende, është shumë e rëndësishme dhe jemi të bindur për këtë”, tha kryeministri i Italisë, Enrico Letta.

Kryeministri Rama e vuri theksin te fakti se Shqipëria e meriton përgjigjen pozitive, çka do t’i shërbejë – sipas tij – edhe në realizimin e reformave të nevojshme për të ecur në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Ne po presim me qetësi që edhe ndonjë vend anëtar, që akoma nuk ka një përgjigje pozitive, të bëjë atë gjysmë hapi, i cili është i nevojshëm për të arritur në një konsensus, që do t’i jepte Shqipërisë atë që ajo meriton, dhe që do t’i jepte Shqipërisë atë shtytje të nevojshme për të ecur përpara, në ato reforma që nuk janë të lehta, por që janë të domosdoshme në ecjen tonë europiane”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Dy kryeministrat kanë vlerësuar gjithashtu klimën e bashkëpunimit dhe marrëdhëniet e forta mes dy vendeve. Zoti Rama u ndal gjithashtu te fakti se Shqipëria është e gatshme të presë dhe të mbështesë investime të reja nga Italia, duke garantuar kushte të favorshme dhe një klimë mjaft pozitive.

Top Channel