Syzet e tipit Google Glass mund të jenë të ndaluara në bare e restorante
për probleme të lidhura me privatësinë e njerëzve, por ato po përhapen
me ritme të shpejta në sallat e operacioneve, aq sa është krijuar një
ndërmarrje e specializuar në vizualizimin e të dhënave gjatë ndërhyrjeve
kirurgjike pa qenë nevoja që kirurgu të largojë shikimin nga pacienti.
Këtë e shpjegon blogu Singularity Hub, sipas të cilit të gjithë drejtorët e spitaleve amerikane po eksperimentojnë dispozitivin. Ndërmarrja, e ngritur nga Universiteti i Stenfordit, quhet VitalMedicals dhe ka realizuar tashmë një aplikacion që u dërgon syzeve parametrat jetikë të pacientit, përfshirë alarmet në rast problemesh.
Hapi i ardhshëm do të jetë mundësimi i kirurgut që të vizualizojë me komanda zanore pamjet e radiografive dhe testeve të tjera paraoperatore, bashkë me ato të instrumenteve që tani i drejtojnë duart e tij, si ultratingujt dhe ekografitë.
“Për të mbajtur nën kontroll dhe për të thirrur këto të dhëna pa përdorur duart, duke shmangur kështu edhe rënien në kontakt me sipërfaqe të papastra do të jetë shumë e dobishme”, sqaron Pierre Theodore, kirurg kardiolog në Universitetin e San Franciskos, që ka përdorur i pari Google Glass në sallën e operacionit.
“Të kesh të dhënat në një format praktik dhe gjithmonë të pranishëm mund të çojë në rritjen e efikasitetit dhe në marrjen e vendimeve më të mira kur ke pak kohë në dispozicion”, ka thënë Theodore. Por para se të ketë një përhapje në masë të këtij sistemi duhet të zgjidhen disa probleme teknike.
I pari prej tyre është edhe në këtë rast privatësia, me teste dhe pamje që nuk duhet të çojnë tek zbulimi i identitetit të pacientit. Gjithashtu, dispozitivi duhet të mbrohet nga hakersat dhe lidhja wifi duhet të jetë e sigurtë, për të mos ndërhyrë në aparatet e tjera të sallës operative.
Top Channel