AMA, Bushati pa mandat si anëtare

11/12/2013 00:00

Autoriteti i Mediave Audiovizive vijon të mbetet i bllokuar prej shumë kohësh, pasi prej më shumë se një viti ky institucion po funksionon me vetëm katër anëtarë nga shtatë që duhej të kishte.

Asnjë prej tre anëtarëve që iu ka mbaruar mandati nuk janë zëvendësuar, ndërkohë që edhe vetë kryetarja e AMA-s, Endira Bushati rezulton në këtë pozicion me mandat të përfunduar prej kohësh.

Për të zgjidhur këtë ngërç dhe shkelje ligjore të krijuar, nënkryetari i Komisionit të Medias dhe Arsimit, deputeti Alfred Peza ka depozituar në Kuvend një propozim për amendimin e nenit 134 të ligjit për mediat audiovizive, duke theksuar nevojën e përshtatjes së vetë AMA-s me standardet e ligjit të ri të miratuar në pranverë, por edhe për faktin se AMA po funksionin me një drejtuese pa mandat që prej shtatorit të vitit 2012.

“Është konstatuar së fundmi se kryetarja e AMA-s, zonja Bushati ndodhet në pozicionin e saj pa patur mandatin e anëtares së thjeshtë të këtij institucioni, që nga 24 shtatori i vitit të kaluar. Kjo e bën të pamundur edhe funksionimin e saj si kryetare sepse nuk mund të jesh kryetar pa qenë anëtarë”, thotë Peza.

Neni 134 i këtij ligji bie ndesh me nenin 9, çka kërkon ndryshimin e menjëhershëm të tij, duke kërkuar që anëtarët e AMA-s të vinë të propozuar nga shoqëria civile dhe jo nga parti politike.

“Anëtarët e AMA-s do të jenë të propozuar jo nga partitë politike, sic janë një pjesë aktuale e këtij institucioni, por nga shoqatat, organizatat dhe partitë politike vetëm kanë një funksion fundor në atë që propozon shoqëria civile nga profesionistët e fushës. Propozojmë që ky ligj të bëhet i zbatueshëm për të qenë i depolitizuar institucioni, vetëm nëpërmjet këtij amendimi”, deklaroi deputeti socialist.

Pas depozitimit të kërkesës dhe në pritje të nisjes së procedurave për normalizimin e AMA-s, Komisioni i  Medias dhe Arsimit ka vijuar me dëgjimin e 20 kandidatëve për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH, të cilët kanë folur për idetë dhe platformat e tyre mbi reformimin dhe ristrukturimin e këtij institucioni.

Media në demokratizim
Trajnim i gazetarëve të rinj dhe studentëve të Fakultetit të Gazetarisë

Qendra shqiptaro-gjermane për Trajnimin e Gazetarëve ka organizuar seminarin me temë “Media në Demokratizim”.

Të pranishëm ishin Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë, Artan Fuga, Thomas Schrapel nga “Konrad Adenauer”, që do të mbështesë qendrën e ngritur në Departamentin e Gazetarisë për trajnimet dhe gazetarë të rinj.

Pjesëmarrësit, gazetarë që ndodhen aktualisht në marrëdhënie pune, por edhe studentë të Gazetarisë në nivelet e larta të studimeve, do të kenë mundësi të ndjekin në afro 10 takime referimet e profesorëve vendas dhe ekspertëve të huaj të medias, si dhe të dialogojnë me ta përmes leksioneve të integruara.

Të pranishmit e vunë theksin te nevoja e seminareve të tilla për specializimin e profesionistëve, edhe pasi ata mbarojnë studimet.

Top Channel