Meta: Franca të rrisë rolin në Shqipëri

09/12/2013 00:00

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Francë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në Paris nga presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, Claude Bartolone, me të cilin biseduan mbi forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës, ecurisë së integrimit evropian dhe zhvillimeve në rajon.

Presidenti Bartolone shprehu kënaqësinë e pritjes së kryetarit Meta në Paris, veçanërisht pas zhvillimeve pozitive gjatë muajve të fundit në Shqipëri, duke vënë në dukje zhvillimin e zgjedhjeve, tranzicionin e pushtetit dhe klimën e bashkëpunimit në Parlament.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe zoti Bartolone ndanë bindjen se marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera, duke nënvizuar nevojën e forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve politike, ekonomike dhe kulturore.

Zoti Meta u shpreh se Shqipëria është vend aktiv i Frankofonisë dhe se mirëpritet një përfshirje më të madhe të Francës në vendin tonë dhe në rajon.

Top Channel