Nga aktiviteti kulturor tashmë i kthyer në traditë, “Sofra Tiranase”, kryebashkiaku Lulzim Basha premtoi përfundimin e zgjatimit të bulevardit vitin e ardhshëm.

“Me 400 vjetorin e qytetit vitin e ardhshëm, do të inagurojmë përfundimin e punimeve dhe dyfishimin e aksit kurrizor të Tiranës së shekullit XXI”, deklaroi kryebashkiaku Basha.

Zoti Basha tha se do t’i propozonte këshillit bashkiak vendosjen e një dite zyrtare të veçantë për t’u shprehur mirënjohjen familjeve autoktone tiranase.

Sakaq, pavarsisht se ekipi i futbullit i Tiranës ndodhet i fundit në klasifikim, kryebashkiaku Basha premtoi për t’i rikthyer lavdinë e dikurshme.

“Sfida të vështira kemi boll përpara dhe një prej tyre është të rikthejmë bardheblutë e Tiranës në kampionë të Shqipërisë siç e meritojnë. Kjo është një sfidë e vështirë, por ju jap fjalën se kryetari i bashkisë nuk i harron kurrë premtimet e tij dhe së bashku me donatorët e rinj e të vjetër, do të bëjmë gjithçka për të kthyer ekipin e Tiranës atje ku e meriton”, premtoi zoti Basha.

Kjo deklaratë e Bashës u mirëprit nga tifozët bardheblu të pranishëm në sallë.

Top Channel