Statusi kandidat për Shqipërinë

05/12/2013 00:00

Me 49 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër, Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi draft-rezolutën për Shqipërinë.

Për statusin kandidat, këshillohen vendet anëtare të BE-së që të shmangin “vonesa të panevojshme”, por u rrëzua amendamenti i ish-raportuesit për Shqipërinë, Libor Rouçek që synonte një ton më të fortë të legjislativit europian mbi këtë çështje.

Libor Rouçek: “Përsa i takon statusit kandidat, ‘PO’, kjo është reflektuar në raportin tonë. Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë në korsinë e shpejtë”.

Vuljaniç: Nuk pati asnjë kundër, veç një abstenim, që nuk e kuptoj përse, por sidoqoftë ne kemi konsensusin e grupeve kryesore politike për këtë çështje e nuk mendoj se situata do të paraqitet shumë më ndryshe në plenaren e Strasburgut. Të gjithë besojnë se kjo është koha e duhur. Tani varet nga Këshilli se çfarë do të thotë. Por, pavarësisht asaj që ata do të vendosin, ne dërgojmë mesazhin se në Parlament, të zgjedhurit e qytetarëve europianë mendojnë kështu dhe tani ju bëni si të doni dhe mbani përgjegjësinë tuaj për këtë.

Draft-rezoluta përmbledh raportin e eurodeputetit  kroat, Nikola Vuljaniç, si dhe shumicën e amendamenteve të propozuara për sundimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit, krimit, trafiqeve, gjakmarrjes, si dhe për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, administratës, medias dhe garantimin e të drejtave të njeriut, përfshirë pronat dhe minoritetet.

Komisioni i jashtëm pranoi amendamentin e të djathtit, Eduard Kukan, duke rrëzuar atë të PPE-së mbi pavarësinë e institucioneve, ku i bëhet thirrje për këtë jo vetëm “shumicës qeverisëse”, siç propozonte Doris Pack, por “dhe parlamentit”, ndërsa Rouçek shtonte dhe “institucionet relevante”.

Po kështu nuk kaloi as amendamenti oral i PPE-së për vlerësimin e rolit të “qeverisë paraardhëse” dhe “opozitës” aktuale, kundërshtuar nga Rouçek, i cili kërkoi që grupet parlamentare të konsultoheshin mbi formulimin, përpara votimit të rezolutës në seancë plenare më 9 Dhjetor.

Statusi, Meta raporton në PE

Pak orë pas votimit të draft-rezolutës për Shqipërinë, Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian zhvilloi një seancë dëgjimore me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Kukan: Gjërat po ndryshojnë e po ecin përpara, shyqyr Zotit. Ndoshta jo të gjithë eurodeputetët pajtohen me mua, por unë ju besoj e po ju jap një shans. Jo sepse jam optimist domosdo, sepse e njoh vendin tuaj, po ju mund të bëni më shumë dhe ju personalisht mund të luani një rol kyç për axhendën europiane. E keni bërë në të kaluarën e ju inkurajoj ta bëni. Por ka disa vende anëtare që thonë se ka shumë azil-kërkues nga Shqipëria . Kjo ishte e vërtetë në fillim me nisjen e heqjes së vizave e ju vepruat mrekullisht, por tani jo dhe aq mirë e ato vende do mundohen t’i përdorin të gjitha këto momente negative apo çështje të vogla në mënyrë që të fitojnë sa më shumë popullaritet përpara zgjedhjeve europiane. Jetojmë një moment të veçantë e ju duhet ta dini e nuk duhet t’u jepni atyre asnjë lloj shansi.

Meta: I dimë problemet tona e siç e përmendët po punojmë dhe me vendet anëtare. I marrim shënim problematikat dhe i trajtojmë ato.

Jelko Kacin, eurodeputet liberal: Gjithëpërfshirja nis në parlament. Opozita duhet të marrë përgjegjësi dhe jo vetëm të kundërshtojë dhe të krijojë zhurmë. Shqipëria humbi goxha kohë. Ju pritët, u treguat të duruar e më në fund u kthyet këtu.

Meta: Rezoluta e fundit e miratuar unanimisht nga parlamenti ynë, u iniciuar nga opozita dhe ishte mjaft pozitive. Pra opozita ishte shumë aktive.

Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë në PE: Sigurisht ka shumë shqetësime, shumë çështje për t’u zgjidhur e jo fort të lehta, korrupsioni, krimi i organizuar, varfëria, organizimi i administratës e kështu me radhë. Nuk kam dyshime se shqiptarët janë të aftë t’i zgjidhin këto, relativisht në pak kohë. E di që asgjë s’mund të bëhet në pak muaj. Nuk mund të bëhet mrekullia e të dalë papritur nga mënga e xhaketës suaj. Por, fakt mbetet se një mrekulli ndodhi vërtet: protestat e qytetarëve në rrugë kundër armëve kimike siriane e qeveria dëgjoi popullin.

Libor Rouçek, eurodeputet S&D: Do të ishte mirë që ju të mos konsultonit veç partitë politike, por edhe shoqërinë civile. E në këtë kuptim, unë nuk e shoh protestën qytetare dhe reagimin e qeverisë si ndonjë mrekulli, por si dëshmi të pjekurisë së shoqërisë dhe udhëheqësve politikë.

“Ky është një vendim që do të marrin vendet anëtare dhe mjafton që edhe një vend i vetëm që të mos shprehet pozitivisht qoftë edhe për një arsye të brendshme që nuk lidhet me zhvillimet në Shqipëri, sigurisht që kjo mundësi do të sjellë një vonesë të panevojshme, por në cdo rast ne i qëndrojmë deklaratës të bërë sot këtu në PE, cilido qoftë vendimi ne do të vazhdojmë me rrugën e reformave, të tregojmë progres vazhdimisht sepse rruga e integrimit europian është në interes në radhë të parë të qytetarëve tanë”, tha Meta për Top Channel.

Nga 50 eurodeputetë që votuan draft-rezolutën paradite, vetëm 5 prej tyre shfaqën interes për debatin me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë: 4 folësit dhe drejtuesi i seancës. Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me presidentët e grupimeve kryesore politike, Daul e Swoboda, kreun e Komitetit të Jashtëm, Brook, raportuesin Vuljaniç dhe shefin e  delegacionit për Ballkanin, Kukan. Përgatiti: Arta TOZAJ

Statusi, Fule diskuton me Metën
“Rezoluta, shans për të rritur bashkëpunimin qeveri-opozitë”

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, rishikuan progresin e reformave europiane, gjatë takimit që zhvilluan në Bruksel.

Komisioneri Fule mirëpriti miratimin me unanimitet të Rezolutës për Integrimin Europian, që për të përbën një sinjal të qartë të bashkëpunimit të përmirësuar qeveri-opozitë.

“Vijoj të theksoj nevojën për gjithpërfshirje dhe bërjen e opozitës pjesë të përparimit të axhendës europiane. Është e rëndësishme të ndërtohet mbi mundësinë e krijuar nga miratimi i rezolutës, për të rritur përfshirjen e opozitës në procesin e reformave europiane”, nxit Fule në një deklaratë për shtyp.

Komisioneri mirëpriti edhe rritjen e masave në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke vlerësuar se “vendosmëria e qartë e treguar nga Shqipëria përforcoi besueshmërinë e propozimit të Komisionit për statusin”, i cili varet gjithsesi nga vendimi i vendeve anëtare më 17 dhjetor.

Top Channel