Ministeriali dyditor i ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s është
shfrytëzuar nga shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati edhe për
takimet dypalëshe me homologë të tij të vendeve të Bashkimit Europian
dhe veçanërisht atyre vendeve që ende po hezitojnë për të deklaruar
votën e tyre në vendimin që do të mbajnë në Këshill, mbi statusin e
vendit kandidat të Shqipërisë, një përpjekje që mesa duket do të vijojë
deri në momentin e fundit.

“Bëhet fjalë për besueshmërinë e procesit të zgjerimit që komisionieri i Zgjerimit është natyrisht shumë i interesuar që ta mbrojë dhe ta cojë përpara. Këtu rasti i Shqipërisë është udhërrëfyes dhe ne po punojmë së bashku me Komisionin Europian, do të shfrytëzojmë cçdo ditë, çdo orë, çdo minutë për të punuar me vendet anëtare dhe sidomos me vendet anëtare që ende nuk kanë një vendim përsa i përket kandidaturës së Shqipërisë. Dera për ne është e hapur, është e rëndësishme që procesi i reformave, kryesisht i reformave që kanë lidhje me sundimin e së drejtës të vazhdojë me ritme të larta dhe me cilësi të pranueshme”, tha Bushati.

Por rrezikimi për zgjerim, duket se nuk është vetëm i Bashkimit Euriopian, por edhe i NATO-s. Takimi dyditor i ministrave të Jashtëm te vendeve të anëtarësuara në të nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse samiti i shtatorit të vitit 2014 do të jetë një samit zgjerimi për katër vendet aspirante, ndër to edhe dy fqinjët tanë Mali i Zi dhe Maqedonia.

“Ministeriali konfirmoi politikën e dyerve të hapura, e cila do të vazhdojë. Natyrisht instruktoi Këshillin për të bërë një vlerësim më të imët për të katër vendet që janë aspirante për anëtarësimin në NATO dhe ky do të jetë një proces i vazhdueshëm”, tha Bushati.

Megjithatë politika e dyerve të hapura mbetet kryefjala e takimeve në Bruksel, aty ku pas disa ditësh Shqipëria do të mësojë nëse do të jetë apo jo e hapur për të, për të marrë statusin e vendit kandidat.

Top Channel