Prokurorët dhe gjyqtarët, në ndeshjet e Champions

03/12/2013 00:00

Thuajse në çdo ndeshje të madhe të kampionateve të njohura europiane,
apo në sfidat e ndezura të Ligës së Kampioneve, tribunat e stadiumeve
europiane janë të mbushura me politikanë shqiptarë, por edhe me gjykatës
e prokurorë.

Ndaj nuk është rastësi që nga aeroporti “Nënë Tereza” të nisen me rregullsi fluturime charter kryesisht përtej Adriatikut, sa herë që ka sfida të këtij niveli, duke pasur parasysh edhe interesimin e lartë të atyre që cilësohen “klientë VIP”.

Fakti se gjykatësit apo prokurorët shqiptarë udhëtojnë me vazhdimësi për të parë ndeshjet e futbollit europian prej shumë vitesh, ka shtyrë shumë kompani udhëtimesh shqiptare që të shfrytëzojnë këtë “trend”. Në shumë prej tyre janë krijuar lista të mirëfillta klientësh, të cilëve u mbërrijnë me rregullsi javore ofertat për vizitat dyditore, ku sigurisht përfshihet edhe bileta e ndeshjes. Si rrjedhojë, ato që disa vite më parë ishin udhëtime individuale, tani janë kthyer në udhëtime të mirëfillta grupi, ndërsa ndodh shpesh që përfaqësuesit e shtetit shqiptar të zhvendosen në “bllok” për një ndeshje të Ligës së Kampioneve. Fakti se këto ndeshje zhvillohen në mesjavë, pra në ditë zyrtare pune, nuk ka përbërë asnjëherë problem për këtë shtresë, pasi këto udhëtime figurojnë thuajse gjithmonë në dokumentet zyrtare si “vizita pune”.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit, apo për evenimente si Kampionatet e Europiane dhe Botërore, ku këtë radhë kanë ndihmën e FSHF-së. Institucioni që drejton futbollin në vendin tonë, mund të sigurojë biletat e shumëkërkuara për evenimente të tilla. Politikanët, gjykatësit apo prokurorët shqiptarë, janë ndër të parët në listën e “përfituesve” në raste të tilla, duke siguruar bileta që për një tifoz të zjarrtë “të thjeshtë” është thuajse e pamundur të gjenden.

 Gazeta “Shqip”

Top Channel