PE, vlerësime pozitive Shqipërisë

26/11/2013 00:00

Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian diskutoi projektrezolutën
për Shqipërinë, përpiluar nga raportuesi i ri kroat Nikola Vuljaniç, i
cili u përgëzua nga kolegët e tij pasi për herë të parë raporti për
Shqipërinë u paraqit në kohën e duhur, njësoj me vendet e tjera të
rajonit.

“Për mua ka dy qëllime, së pari për të ndihmuar vendin, duke mbështetur raport-progresin e Komisionit e duke ofruar arsye shtesë ndaj Këshillit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Arsyeja tjetër është stabiliteti rajonal e forcimi i pozicionit e politikës së Unionit që thotë se arritjet duhen respektuar e shpërblyer në rrugën e
integrimit. E nuk ka dyshime për arritjet, pjekuria politike u dëshmua me refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Me gjithë insistimin e SHBA-ve, Qeveria shqiptare dëgjoi popullin”, u shpreh Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë në PE.

“Ajo çfarë na mungonte prej disa vitesh ishte një raportues proaktiv mbi Shqipërinë, pasi Shqipëria nuk mund të na paraqesë vetë një raport përsa kohë që ne nuk jemi veprues për të dorëzuar diçka, ndaj kjo është për t’u nënvizuar. Megjithëse erdhi shumë vonë, në fund të fundit u shënua një kontribut i madh për të mobilizuar dhe për të vërtetuar përpjekjet e Shqipërisë”, tha eurodeputeti sllovebn Jelko Kacin, raportues për Serbinë.

Ndërsa Këshillit i sugjerohet të shmangë “vonesa të panevojshme” për dhënien e statusit kandidat në dhjetor, Tiranës i kërkohet dialog politik dhe reforma të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e institucioneve, gjyqësorit, administratës e medias, krahas luftës kundër korrupsionit, krimit e trafiqeve.

“Në i bëjmë thirrje Këshillit të njoh progresin e vendit dhe t’i japë statusin kandidat pa vonesë të panevojshme. Por duhet kuptuar gjithashtu me këtë raport se progresi i arritur kërkon më tepër konsolidim e zbatim dhe për reformat e mbetura duhet përshpejtuar miratimi”, u shpreh Eduart Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin.

“Kalimi i pushtetit pa dhunë, greva urie apo çfarëdolloj qoftë, është një gjë normale për t’u bërë dhe po kështu edhe kryerja e reformave të përcaktuara, ndaj nuk mendoj se është e drejtë që të bëjmë shumë lavdërime për këtë. Ne duhet të kujtojmë të shkuarën, e të jemi paksa të shqetësuar për të ardhmen e afërt. Kuvendi nuk nisi
dhe aq në harmoni siç duhej, dhe unë do doja që Shqipëria të na tregonte dëshmi provash se është konsistente dhe  vijon bashkëpunimi pozitiv mes partive”, tha eurodeputetja hollandeze Marije Cornelissen.

“Në asnjë moment e në asnjë fjali, nuk dhashë idenë se përmirësimi erdhi me ndryshimin e Qeverisë. Nuk ndodh asgjëkundi kështu, as në Shqipëri. Ajo që më shqetëson në marrëdhënien qeveri-opozitë është mungesa e plotë e dialogut dhe ky dialog duhet vendosur nëse duan të ecin para”, tha Vuljanic.

“Shqipëria është një anëtare e plotë e Konferencës së Organizatës Islamike, një gjë e pazakonshme për Ballkanin. E kjo shkakton ca dilema në politikën e jashtme, kurdo që t’i bashkohet Bashkimit Europian, për mënyrën se si aleatët votojnë në Kombet e Bashkuara”, u shpreh eurodeputeti britanik Charles Tannock.”

“Dëgjojmë shumë njerëz në shoqëritë tona të thonë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim, çfarë është mëse e vërtetë dhe askush nuk e kundërshton, sepse mbeten shumë shqetësime: korrupsioni, krimi i organizuar, diskriminimi, liria e medias e sundimi i ligjit. Ndaj besoj se është e rëndësishme të japim sinjal të qartë se ne presim Shqipërinë të vazhdojë reformat pozitive me statusin kandidat dhe se ka shumë hapa për t’u ndërmarrë e se BE do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur përpara e për t’ia arritur”, tha eurudeputetja hollandeze Marietje Schaake.

“Ajo që është më e rëndësishmja për këtë komitet, kur këtu kemi eurodeputetë gjermanë e hollandezë, është të dërgojmë mesazhe të qarta ndaj qeverive tona, se ne kemi mbërritur në pikën që mbështesim statusin kandidat dhe se Shqipëria e meriton këtë, shqipëtarët e kanë fituar këtë.Nëse bëjmë hap mbrapa, e kemi parë të ndodhë me serbët, ne do të humbisnim besimin e i dimë pasojat që do të kishim atje. Ndaj duhet të jemi shumë të bindës ndaj qeverive të vendeve tona, zoti Posselt mund të më bashkohet, për të treguar se gjërat po shkojnë mire”, tha Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman.

Projektrezoluta për Shqipërinë përmbledh në 4 faqe zhvillimet politike, situatën e përkeqësuar ekonomike dhe shqetësimet mbi të drejtat e njeriut, përfshirë minoritetet e çështjen e pronave. Ndërkohë, pranë sekretariatit janë grumbulluar 122 amendamente nga eurodeputetët, si dhe një amendament oral kompromisi mes grupeve politike kryesore, propozuar nga Cornelissen, në të cilin i kërkohet Tiranës të veprojë pa vonesë ndaj fenomenit të gjakmarrjes.

“Gjakmarrja është disi e rëndësishme në Shqipëri. Janë të paktën 10 mijë familje të prekura. Numri i viktimave të gjakmarrjes është rritur vitet e fundit, regjistrohen të paktën në 150 veta në vit. Shumë fëmijë djem janë të detyruar të rrinë brenda shtëpisë e të mos shkojnë në shkollë e të mos luajnë jashtë. Ka një makineri shteti për
këtë, një komitet i ngritur prej 2005, ka një ligj, por në terren asgjë nuk ka ndryshuar dhe problemi qëndron tek përkeqësimi, në vend që të përmirësohet”, tha Marije Cornelissen, eurodeputete hollandeze.

“Amendamentin oral për gjakmarrjen nuk e përfshiva në rezolutë pasi e njohim të gjithë këtë problem, por nuk mund të përfshihen shumë çështje në një raport e kjo mund të konsiderohej në dokumente të mëtejshme. Por e kuptoj se ky amendament kompromisi është pranuar e do të votohet, sipas proçedurës. Jam i lumtur që u përmend toleranca fetare. S’mund ta besoja kur shkova atje. E për habinë time, qeveria dhe opozita më konfirmuan se kështu ndodh e ata nuk i kushtojnë vëmendje fare, është një çështje private e njerëzve. E shkëlqyeshme, pasi nuk e kam parë në asnjë vend të Ballkanit, përfshirë Kroacinë.Për lojrat e fatit dhe krimin e organizuar, i vura një minus amendamentit pasi dëgjova aksionin pjesërisht të sukseshëm për të ndaluar kumarin e paligjshëm, por nuk ia dolën të kapin asnjë bos, asnjë kriminel, pasi dikush nga policia i kishte njoftuar përpara aksionit”, u shpreh Vuljaniç.

Përfaqësuesja e Komisionit Europian vlerësoi se gjatë periudhës shtator – nëntor, Shqipëria ka ndërmarrë reforma për sundimin e ligjit dhe veprime ndaj shërbimit të taksave e doganave, si dhe ka rritur efikasitetin për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, duke dëshmuar gadishmëri e vullnet politik për marrjen e statusit kandidat.

Pavarësisht insistimit të raportuesit, votimi i rezolutës për Shqipërinë pritet të votohet nga Komiteti i Jashtëm më 5 Dhjetor, për t’u miratuar në seancë plenare 10 ditë përpara dhënies së vendimit nga Këshilli i BE-së.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel