Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari i
Partisë Lulzim Basha tha se opozita do të monitorojë me shumë vëmendje
situatën ekonomike në vend, e cila sipas tij, me Aktin e fundit Normativ
të Qeverisë për ndryshimin e buxhetit po shkon drejt recesionit.

“Shqiptarët e kuptuan fare mirë se Qeveria e tyre vendosi të merrte borxh me një dorë atë që planifikon ta humbë nga mbledhja e taksave me dorën tjetër. Në këtë mënyrë Qeveria vendosi t’i fusë dyfish në debi financat e shtetit. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, nuk ka ndodhur askund dhe asnjë Kryeministër nuk ka guxuar ta ndërmarrë këtë hap. Eshtë e hera e parë që një Qeveri heq dorë publikisht nga një prej detyrave bazë, mbledhja e të ardhurave. Eshtë hera e parë qe Qeveria e planifikon me gjakftohtësi dështimin të përmasave të tilla, i cili do të përkonte në mënyrë të menjëhershme shqyrtimin dhe pse jo revokimin e mandatit të saj. Kjo është rruga drejt rrokullisjes, është rruga drejt krizës. E themi me gojën plot dhe me zë të lartë. Si mundet, që në tremujorin e fundit të vitit, një Qeveri që sapo ka ardhur në pushtet të planifikojë të mbledhë katër herë më pak se Qeveria paraardhëse? Ku do të shkojnë këto para që do t’i mungojnë arkës së shtetit? Për ku janë nisur 60 milionë dollarë në muaj, që nuk do të mbërrijnë më në arkën e publikut. Eshtë detyra jonë si opozitë të japim përgjigjen e saktë për këtë pyetje themelore”, u shpreh Basha.

Top Channel