Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, shpjegoi mungesën e tij në takimin vjetor të liderave të shteteve në selinë e OKB-së, në Nju Jork, me frikën e një atentati të mundshëm ndaj tij.
Maduro kishte radhën për të folur përpara Asamblesë së Përgjithshme gjatë të mërkurës, por ai nuk mori pjesë në takim.
Duke folur nga kryeqyteti venezuelas, në Karakas, Maduro tha: “Vendosa të mungoj për shkak të kërcënimeve serioze që kam marrë për jetën time”.
Vendimi i Maduros për të anulluar vizitën u bë në Vankuver, Kanada, ndërsa ishte në rikthimin nga një vizitë zyrtare në Kinë.
“Kur mbërrita në Vankuver analizova të dhënat e inteligjencës sonë, të grumbulluara nga shumë burime dhe kuptova që vizita në Nju Jork shoqërohej me rreziqe të shumta për jetën time. Vendosa të rikthehem në Karakas me qëllim që të mbroja integritetin tim fizik”, pranoi Maduro.
Pavarësisht këmbënguljes së mediave, presidenti nuk dha detaje për këto kërcënime apo për burimet e tij të informacionit.
Presidenti i mëparshëm i Venezuelës dhe mësuesi politik i Maduros, Hugo Chavez, ndërroi jetë në 5 mars 2013 pas një beteje 2-vjeçare ndaj një kanceri, të cilin ai disa herë tha se ia kishte injektuar CIA.
Top Channel