Në kulmin e krizës së kredive, që ka vënë në vështirësi sipërmarrësit
për financime, shoqatat e biznesit i kërkojnë Qeverisë që të hapë tregun
e kapitalit dhe të vërë në punë bursën e Tiranës.

“Nevoja në rritje e biznesit shqiptar për të gjetur rrugë të reja financimi të ndryshme nga kreditë bankare të kushtueshme, të çon natyrshëm në krijimin e lëndës së parë për aktivizimin e tregut të kapitaleve. Nga ana tjetër, tregu i kapitaleve është i domosdoshëm edhe për vetë sigurimin e financimeve për kompanitë dhe projektet publike, si dhe për vetë mirëfunksionimin e tregut të letrave me vlerë. Listimi në bursë i një stoku fillestar të kompanive më të mirë publike dhe private, që sot ekzistojnë do të shërbente edhe për rritjen e besimit nga kompanitë private në përgjithësi, si dhe do të ishte mënyra më e mirë e marketingut për investitorët potencialë brenda dhe jashtë vendit”, thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë.

Ndërtimi i tregut të kapitaleve, jo vetëm që do të thyentë monopolin financiar të bankave, por do t’u jepte qytetarëve mundësinë për të investuar kursimet e tyre në aksione të projekteve të mëdha publike apo dhe ndërmarrjeve strategjike.

“Nëqoftëse shumë kompani shqiptare, por dhe individë shqiptarë do të kenë mundësi të bëhen pjesë të projekteve të mëdha strategjike, duhet të fillojnë t’i konsiderojnë ato si mallin e tyre, edhe energjinë si mallin e tyre, jo si një utilitet që shteti i ka detyrë për t’ia dhënë, ashtu sic edhe projektet e tjera strategjike. Le  ta krijojmë këtë mundësi. Na intereson investitorë seriozë dhe njëkohësisht na intereson edhe pjesëmarrja e gjerë e publikut në projekte të mëdha, pasi populli shqiptar për këto pasuri që ka duhet të ndjeje benefitin e tyre”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Industrisë dhe Energjetikës.

Drejtori i bursës së Stambollit Ibrahim Turhan tha se ngritja e bursës së Tiranës dhe integrimi i saj në tregun rajonal të kapitaleve do nxiste rritjen ekonomike të Shqipërisë.

“Përmes integrimit bursat e Tiranës dhe kompanitë e listuara mund të tërheqin investitorë të huaj dhe të adresojnë problemin e likuiditetit. Kjo do të nxisë që më shumë kompani të listohen dhe bursat do të bëhen instrumenta të shpërndarjes së kapitalit në shoqëri, që është edhe arsyeja kryesore se përse ato ekzistojnë. Eventualisht kjo do të përshpejtonte rritjen ekonomike për të gjithë rajonin”, thotë Turhan.

Projekti për ngritjen e bursës së Tiranës është një histori e gjatë dështimi, e nisur vite më parë. Zëvendëskryeministri thotë se kjo do të ndryshojë.

“Bursa e Tiranës mund të aktivizohet vetëm me një bashkëpunim të ngushtë të Qeverisë dhe biznesit rajonal, si dhe në partneritet me institucione të rëndësishme të tregut të kapitaleve në rajonin tonë. Qeveria shqiptare përshëndet çdo iniciativë në këtë projekt dhe është e gatshme të ndërtojë një proces me përfshirjen e biznesit për ta kthyer bursën e Tiranës në një realitet”, u shpreh Niko Peleshi.

Ngërçi në të cilin është zhytur tregu financiar në Shqipëri, ku bankat që kanë monopolin po refuzojnë të kreditojnë biznesin, cilësohet si një nga arsyet kryesore të ngadalësimit të fortë të ekonomisë.  

Top Channel