Kontroll i huaj financave

19/09/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama shprehu angazhimin e Qeverisë së re për të nisur
menjëherë auditimin e administrimit të parasë dhe shpenzimeve të kryera
deri më tani, proces ky që do të kryhet nga një prej katër kompanive të
mëdha ndërkombëtare të auditimit.

Në seminarin e nivelit të lartë “Forcimi i Lidhjeve në Europën Juglindore” të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Kryeministri Rama tha se ky auditim do t’i shërbejë njohjes reale me situatën ekonomike në vend dhe raporteve të shtetit me paranë publike e private.

“Kemi marrë një angazhim dhe do të jemi besnikë të këtij angazhimi, për të filluar menjëherë auditimin e sistemit tonë të administrimit të parasë dhe njëkohësisht të shpenzimeve në të gjitha drejtimet. Një auditim që të bëhet nga një prej katër kompanive të mëdha të auditimit dhe që ne shpresojmë të na sjellë më në fund pasqyrën reale të ekonomisë sonë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe me atë private”, tha Rama.

Një tjetër angazhim i Qeverisë së re është të çlirojë tatimpaguesit e mëdhenj nga kontrolli tatimor dhe realizimin e vetëkontrollit të tyre përmes këtij auditi.    
     
“Ne duam ta çlirojmë sipërmarrjen e madhe, të paktën 1000 tatimpaguesit më të mëdhënj nga kontrolli tatimor. Ne nuk duam të kontrollojmë më sipërmarrjen e madhe, ne duam që sipërmarrja e madhe të vetëkontrollohet përmes auditit nga katër kompanitë e mëdha”, tha Rama.

Për kryeministrin Rama gjendemi në një situatë, ku ekonomia është e ndarë në ekonomi për të cilën shteti interesohet, ajo e buxhetit dhe ekonomi e sektorit privat, ndaj së cilës shteti mban përgjegjësi, për shkak të borxhit të madh që duhet t’i kthejë e që shkon në mbi 400 milionë dollare.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këtë ngërç të krijuar nga borxhi ndaj sektorit privat. Eshtë një borxh që ka futur gjithë ekonominë në ngërç dhe paralizuar fuqinë ndikuese të bankave mbi ekonominë për shkak të ndërthurjes së të gjithë këtij zinxhiri borxhi. Po përgatitemi ta shlyejmë një orë e më parë”, u shpreh Rama.

Në të njëjtën linjë me kryeministrin Rama, shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Nadee Ilahi thotë se dokumentimi i këtij borxhi si pjesë e borxhit kombëtar është hapi i parë për të vazhuar më pas me marrjen e masave për uljn e tij.

“Një çështje e rëndësishme, të cilën e preku edhe Kryeministri, është ajo e borxhit të padokumentuar që duhet të dokumentohet. Të dhënat t’i jepen sektorit privat dhe pasi të bëhet pjesë e borxhit kombëtar, që në fakt i tillë është, pastaj duhet marrë vendimi se si niveli i këtij borxhi duhet të ulet”, tha Ilahi.

Një tjetër shqetësim i shprehur nga misioni i FMN-së në Shqipëri është përkeqësimi në mbledhjen e taksave gjatë viteve të fundit për të cilën duhen marrë të gjitha masat që të ndryshojë.   

Top Channel