Takim me rusët e shqipes

16/09/2013 00:00

“Shqip” në “Top-Channel” u rikthye këtë të hënë në origjinën e tij fillestare… në emrin dedikuar gjuhës shqipe dhe këtë e bëri në një mënyrë krejt origjinale, me rusët e Katedrës së Albanologjisë në Shën Pjetërburg.

Pedagogët e një prej katedrave më të rëndësishme botërore dedikuar kulturës dhe gjuhës sonë mbërritën në studion e Rudina Xhungës për të ndarë pasionin e tyre, kuriozitete dhe informacione që nuk i kemi rastisur kurrë t’i dëgjojmë në jetën e përditshme.

Një seri e pasur për teleshikuesin, në të cilën mbase paradoksalisht, mund të mësosh më shumë për vendin tonë nga disa të huaj që vijnë nga larg, se nga ajo që shumë shqiptarë mund të të tregojnë.

E natyrshëm, paneli ishte i përbërë nga të ftuar të një rëndësie të veçantë, duke nisur nga Aleksandër Novik, konsull nderi i Shqipërisë në Shën Pjetërburg, Maria Morozova, linguiste në Akademinë e Shkencave në Rusi, Denis Ermolin, etnolog dhe Aleksandra Dagushtina, studente e Muzeut Kombëtar Rus të Antropologjisë dhe Etnografisë.

Njëkohësisht, në dy lidhje direkte, mbërriti në “Shqip” nga Moska ambasadori ynë në Rusi, zoti Sokol Gjoka dhe në lidhjen e dytë, nga një studio tjetër e “Top-Channel”, studentë e pedagogë të tjerë të albanologjisë, si Albina Gjirfanova, profesore e linguistikës, Andrea Sobolevi, profesor i gjuhësisë ballkanike, Renata Hamidullina, doktorante e Muzeut Andropologjik dhe Etnografik në Rusi si dhe studentët Elizabet Atakova, Abatolij Shkareda, Germina Gordianko, Marina Sukojeva, Maria Kriniçkaja dhe Ana Dobkes.

“Unë kam ardhur në Shqipëri për herë të parë në vitin 1992 dhe që prej atëherë jam dashuruar. Ishte një kohë kur vendi ishte krejt tjetër, nuk kishte as restorante dhe as bare ku të qëndroje, por bukuria përrallore dukej që atëherë”, nisi bisedën konsullik Novik.

Një bisedë që fillimisht u përqendrua në ato fshatra shqiptare të Ukrainës, mbartëse të një kulture të lashtë, pothuajse po aq të lashtë sa ajo e arbëreshëve, por fatkeqësisht shumë më pak të njohur.

“Në Ukrainë ka disa fshatra shqiptare. Ne degën tonë ishte e domosdoshme të shkoje në terren për të bërë ndonjë kërkim ose studim. Shqipja m’u duk një gjuhë që nuk kuptohej asnjë fjalë, përveç disa pak fjalëve ruse që ishin marrë nga banorët dhe përdoreshin duke folur shqip. Më pas kur erdha në Tiranë e nisa të studioja gjuhën letrare, bëra kumtuse në konferencë për të folurën, e u çudita sepse është e vështirë të kuptosh gjuhën e Ukrainës edhe për shqiptarët”, deklaroi Morozova.

“Në rajonin e Odesës është një fshat shqiptar dhe tre të tjerë në Zaporozhje”, vazhdoi bisedën Novik. “Çdo vit, ne shkojmë në këto fshatra për të bërë studime në këtë fushë. Disa nga studentët marrin materialet gjuhësore për të folur me këta shqiptarët, disa merren me çështje etnografike, të zakoneve, etj. Më pas bëjmë ekspedita në Shqipëri e Kosovë dhe udhëtime nga veriu në jug, për të njohur ndryshimet gjuhësore brenda vendit”, shtoi ai.

“Shtatë vite kam qëndruar për të studiuar në Ukrainë, e në fund kam mbledhur shumë materiale dhe për këtë kam nisur të shkruaj doktoratën, doket e zakonet e lidhura me lindjen e fëmijëve shqiptarë”, shpjegoi Dagushina, duke përqendruar bisedën tek tradita zakonore.

“A ka ngjashmëri mes dokeve tona dhe tuaja? Pak. Ka më shumë lidhje me traditën në Ballkan. Ritet e lindjes janë pjesë e pandashme e çdo tradite dhe edhe sot, edhe në kohën e lashtë njerëzit i bënin rituale magjike fëmijëve për t’i mbrojtur nga forcat e këqija, për t’ia siguruar fëmijës një fat të mirë. Pastaj atje mund të gjesh një kulturë shumë të veçantë, që kur një fëmijë është i sëmurë, shpesh e nxjerrin në rrugë apo në një kryqëzim të vetëm dhe ai që do ta sjellë në shtëpi bëhet kumbari. Kjo presupozon që ai bëhet shpëtimtari dhe fëmija do të shpëtojë nga e keqja”.

Në lidhje direkte nga Moska, ambasador Gjoka shpjegoi se cilat janë strategjitë e shtetit shqiptar, lidhur me këto fshatra unikale shqiptare në Ukrainë. “Kam qenë në një emosion që është bërë në studion tuaj mbi shqiptarët e Karakurtit dhe fshatrave të tjera shqiptare të Ukrainës (në studio u ritransmetuan pamjet) dhe m’u rikthyen kujtime shumë të bukura. Së bashku me konsollin e nderit të Ukrainës në Shqipëri jemi kujdesur t’ia sjellim më afër Shqipërinë atyre personave, duke ndërmarrë një sëre projektesh për t’i pajisur me abetare, me literaturë njohëse për Shqipërinë, me literaturë artistike dhe jemi mundur që të krijojmë kushte sa më të mira për edukimin e fëmijëve shqiptarë”.

Rusët e shqipes ishin në gjendje të jepnin një opinion edhe mbi debatin e hapur së fundmi në Shqipëri, për mundësinë e ndryshimit të standartit të gjuhës sonë letrare. “Me siguri është me interes për ne se çfarë do të vendoset, në radhë të parë nga shkencëtarët e trojeve shqipfolëse që merrem më shumë me ruajtjen e standartit dhe pasurimin e gjuhës. Nga pikëpamja ime, me rëndësi është që të ketë një standart të përbashkët, ndryshuar apo jo, përmirësuar apo jo është e rëndësishme të jetë e përbashkët që të bashkojë shqipfolësit kudo ata ndodhen”, dha mendimin e saj Morozina.

Top Channel