Monumenti i kulturës, Ura e Zogut, vijon të mbetet në gjendje problematike, pavarësisht ndërhyrjeve të kryera ndër vite dhe fondeve të konsiderueshme të investuara për restaurimin e saj.
Mbi 55 milionë lekë me TVSH janë akorduar për një ndërhyrje emergjente në këtë monument kulture, ndërsa aktivistë të shoqërisë civile ngrenë shqetësime mbi efektivitetin e punimeve dhe gjendjen aktuale të urës. Sipas tyre, dokumentacioni i siguruar tregon se janë lidhur kontrata si për zbatimin e punimeve, ashtu edhe për mbikëqyrjen teknike, duke e trajtuar ndërhyrjen si prioritet për ruajtjen e objektit.
Aktivistja Elsa Sula kërkon transparencë të plotë mbi fondet e përdorura dhe informim të vazhdueshëm për monitorimin e urës dhe ndërhyrjet e mëtejshme. Sipas saj, Ura e Zogut përfaqëson një vlerë të rëndësishme historike dhe identitare, e cila duhet të kthehet edhe në një atraksion turistik për zonën e Kurbinit dhe më gjerë.
Nga ana tjetër, Elton Laska thekson se që prej vitit 2019 janë ngritur vazhdimisht shqetësime për dëmtimet në urë, por situata mbetet e pandryshuar. Ai i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Kulturës, të ndërhyjnë me urgjencë për një restaurim të plotë dhe cilësor, duke vënë në dukje rëndësinë kombëtare të trashëgimisë kulturore.
Ndërkohë, sipas aktivisteve, inspektimet e kryera pas përfundimit të punimeve kanë evidentuar sërish dëmtime në strukturë, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e ndërhyrjes dhe qëndrueshmërinë e restaurimit të realizuar.
Top Channel