Nis sezoni në Gjirokastër, turistë edhe nga SHBA rrisin fluksin, sfidë mbetet sezonaliteti

03/05/2026 14:47

Sezoni turistik ka nisur në Gjirokastër, ndërsa sinjalet e para tregojnë se edhe ky vit pritet të ndjekë të njëjtin ritëm si ai i kaluar.

Rezervimet paraqiten në nivele të qëndrueshme, megjithëse nuk mungojnë edhe rastet e anulimeve, kryesisht nga grupe turistike. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Maksim Hoxha, thekson se një ndër sfidat kryesore mbetet sezonaliteti i theksuar i turizmit.

Sipas tij, Gjirokastra vijon të jetë një destinacion kryesisht veror, çka detyron shumë biznese të mbyllin aktivitetin gjatë muajve të dimrit për shkak të kostove të larta dhe mungesës së fluksit të vizitorëve. Hoxha propozon mbështetje më të madhe nga Ministria e Turizmit, duke marrë si shembull praktikat e vendeve fqinje si Greqia, e cila subvencionon kategori të ndryshme qytetarësh për të udhëtuar brenda vendit.

Një model i tillë, sipas tij, do të ndihmonte në rritjen e vizitueshmërisë gjatë gjithë vitit dhe do të nxiste turizmin e brendshëm.

Nga ana tjetër, ajo që duket se po bën diferencën këtë sezon është rritja e numrit të turistëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Eni Kaçit, ky treg po fiton gjithnjë e më shumë peshë, duke sjellë një profil të ri vizitorësh që shfaqin interes të veçantë për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e qytetit.

Në tërësi, Gjirokastra vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse në vend, por sfida mbetet shtrirja e turizmit përtej sezonit veror dhe krijimi i një oferte më të qëndrueshme gjatë gjithë vitit.

Top Channel