“INSTAT”: Rritet varfëria

12/09/2013 00:00

“Instat” publikon shifrat e varfërisë për vitin 2012, sipas të cilave niveli i familjeve të varfra në Shqipëri është rritur nga 12.4 % në 2008-n, në 14.3 % në 2012.

Anketa konsideron të varfër atë pjesë të popullsisë që konsumin mujor për frymë e ka nën 4 891 lekë me çmimet e vitit 2002.

Ndërsa popullsia “ekstremisht e varfër”, e përcaktuar si persona që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore është rritur nga 1.2 % në vitin 2008, në 2.2 % për zonat urbane dhe 2.3 % për zonat rurale në vitin 2012.

“Krahasuar me 2008-n, kur varfëria ka qenë 12,4%, në 1202 ka shkuar në 14,3%. Pra kemi një rritje të familjeve shqipare që janë nën vijën e varfërisë.
E thënë ndryshe, 30 mijë persona i janë shtuar në këto vite pjesës më të varfër të popullsisë”, deklaroi Ines Nurja, drejtoreshë e “INSTAT”-it.

Sipas “INSTAT”, trendi i varfërisë është luhatur nga 25.4 %  në vitin 2002, në 18.5%  në vitin 2005 dhe 12.4 % në vitin 2008.

Anketa jep për herë të parë të dhënat në nivel prefekture, sipas të cilave prefektura me nivelin më të lartë të varfërisë është e ajo e Kukësit, me 21.8 % e ndjekur pas nga Fieri dhe Lezha me 17.5 %.

“Prefekturat me nivelin më të lartë të varfërisë janë Kukësi, Fieri dhe Lezha, ndërsa prefekturat me nivelin më të ulët janë ato të Vlorës, Korçës dhe Beratit”, shtoi Nurja.

Anketa arrin në konkluzionin se rritja e përgjithshme e varfërisë u shoqërua me një rritje më të lartë të shkallës së varfërisë urbane.

Shkalla e varfërisë në zonat rurale është rritur nga 14.6 % në 2008, në 15.3 % në vitin 2012, ndërsa varfëria urbane u rrit nga 10.1 % në 2008 në 13.6 % në 2012.

Sipas “INSTAT|, kjo mund të ketë ardhur si pasojë e lëvizjeve të popullsisë nga zonat rurale tek ato urbane.

“INSTAT” thotë se rritja e shkallës së varfërisë ka qenë e lidhur me rritjen e përqindjes së konsumit për ushqim dhe nevoja bazë dhe me një rënie të konsumit për produkte jo ushqimore, arsim dhe pajisje afatgjatë, çka është tregues i varfërisë.

“INSTAT” identifikon si shkak të rritjes së varfërisë krizën globale financiare që përmes ngadalësimit të rritjes ekonomike ka ndikuar në rritjen e varfërisë sidomos në zonat urbane.

“Kriza globale ka përfshirë vendet fqinje si Greqia e Italia, ku niveli i emigrantëve shqiptarë është më i madh”, thuhet në raportin e “INSTAT”.

Kjo ka ndikuar kryesisht në uljen e remitancave të tyre drejt familjeve në Shqipëri që prej vitesh ka qenë zbutës i varfërisë në vendin tonë.

Top Channel