Skender Minxhozi – Parlamenti i ri do të hapë të hënën dyert për
legjislaturën e tij të 19. Pas dy muajsh e gjysmë tranzicioni të
pushtetit, kjo do të jetë hera e parë që do të shohim “në praktikë”
rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Tri ditë më parë, Sali Berisha mbylli procesionin tetëvjeçar të mbledhjeve “televizive” të qeverisë, me një fjalim që vetëm një njeri i dëshpëruar është në gjendje ta mbajë, e kjo qe shenja e parë se po i drejtohemi vërtet një sezoni të ri politik.
Nëse kërkoni surpriza dhe të papritura në Kuvendin e ardhshëm, me siguri nuk do të mbeteni të zhgënjyer. Është e vërtetë që Gramoz Ruçi do të jetë sërish kryetar i grupit parlamentar të PS, është gjithashtu e vërtetë që Astrit Patozi nuk do të jetë më homologu i tij i djathtë, por historia nuk përfundon këtu. Sali Berisha nuk do të ulet më në mes të podiumit të qeverisë, ndërsa në poltronin pompoz sipër tij, nuk do të ulet më Jozefina Topalli. Kishit tetë vjet pa e parë këtë skenë, e kjo nuk është pak.
Ndryshimet vizuale kanë për të sjellë, me shumë gjasa, edhe ndryshime të tjera më të rëndësishme. Që do të thotë, jo më fjalime kilometrike të Berishës, jo më replika të tij të pafundme me cilindo që i dilte përpara, jo më banalitete e fyerje groteske nga Topalli. Edi Rama dhe Ilir Meta mund të kritikohen për çfarëdo defekti, por s’kanë për ta arritur dot, edhe po të duan, shkallën e agresivitetit, aciditetit, dhunës verbale e arbitraritetit të dyshes së mësipërme. Me thyerjen e statu quo-së tetëvjeçare, janë të gjitha rrethanat që Parlamenti të hyjë në një hulli më normale të komunikimit mes palëve kryesore. Megjithatë kjo mbetet të shihet.
Për vetë Ramën, Kuvendi ka për të qenë një tokë e pazbuluar. Është kurioze të shihet sesi njeriu që qëndroi për tetë vjet jashtë Kuvendit, megjithëse ishte politikani i dytë më i rëndësishëm i vendit, do të sillet në një ambient që e ka drejtuar me celular, por që s’e ka shkelur kurrë më parë. Që nga koha e largët e Ministrisë së Kulturës, në qeverinë “Nano”. Ndërkohë që lideri i LSI ka marrë mbi vete, me ndarjen e tortës së pushtetit, detyrën sfiduese të menaxhimit të organit më me peshë në strukturën e shtetit, por edhe më të zhurmshmin e problematikun.
E majta ka premtuar prej kohësh se do të ndërmarrë një numër reformash të rëndësishme. Të cilat, natyrshëm që do të kalojnë përmes Parlamentit. Është e vërtetë se shumica e re nuk arriti ta kapë kuotën e votave që do t’i lejonin ndryshime kushtetuese, por është gjithaq e vërtetë se në një opozitë të dobët si kjo e sotmja, votat gjenden pa shumë vështirësi. Qysh tani, pa nisur ende punimet e Kuvendit, disa prej deputetëve të partive aleate me PD, kanë deklaruar se do të jenë “elastikë” në mënyrën e votimit. Megjithatë Ramës dhe Metës vështirë se ju duhet ky diversion votash djathtas, pa arritur konsensus për reformat me peshë. Shitblerja e parlamentarëve nuk të çon askund, nëse ke për objektiv reforma të mëdha e të qëndrueshme. Nëse do të ndryshohet drejtësia, nëse do të preken emërtesat e institucioneve të pavarura, nëse do të hidhen hapa për të reformuar thellë sektorë të caktuar të shtetit, marrëveshja me opozitën mund dhe duhet të jetë e vetmja rrugë për t’u shkelur. Nuk duhet harruar se Berisha grumbulloi pushtet më shumë se kushdo tjetër në këto tetë vjet, ai futi në dorë të gjitha institucionet e vendit, deri tek ato sportive, por në fund mori një milion vota kundër.
Kuvendi i Shqipërisë ndodhet në këtë legjislaturë të re, përballë një sfide të rëndësishme. Ai duhet të japë mesazhin se vota e shqiptarëve më 23 qershor, masive dhe imponuese në shifrat e saj, do të lexohet drejt nga legjislatori. Shqipëria ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike e financiare, ajo duhet të përshkojë një rrugë të gjatë drejt afrimit me Europën, e mbi të gjitha, një kulturë e re politike nevojitet në këtë vend të mësuar me shfaqjet e shëmtuara të Parlamentit, ku përfaqësuesit e popullit “kapeshin për zhelesh”, në emër të shumicës aritmetike të kartonëve. Parlamenti i Shqipërisë ka qenë për shumë vite çerdhja e dhunës verbale, djepi i kulturës së përplasjes dhe përjashtimit. Ka ardhur koha që ky trend të ndryshojë rrënjësisht. Asgjë, më shumë sesa një votë masive, si ajo e 23 qershorit, nuk do ta ndihmonte një përmbysje të kodit të komunikimit në radhët e klasës politike. Dhe Parlamenti është organi kryesor ku komunikohet me kundërshtarin.
Të hënën nis një etapë e re në jetën institucionale shqiptare. Është një shans që nuk duhet humbur. Sepse herën e fundit që votuan, shqiptarët e dhanë të qartë mesazhin se ishin ngopur, ndër të tjera, edhe me shoun banal të përjavshëm të politikës shqiptare, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Gazeta “Shqip”
Top Channel