Kryengritësit sirianë nxjerrin jashtë ligji kruasanin

01/08/2013 20:10

Një grup fetar i rreshtuar përkrah kryengritësve në luftën civile në Siri shpalli të jashtëligjshëm kruasanin për të gjithë ndjekësit e tij.

Komiteti i Sheriatit, siç quhet grupi i udhëheqësve që sanksionon anën ligjore dhe morale të këtij grupimi, lëshoi të enjten një fetva (urdhëresë), e cila shpalli këtë ushqim si “harram”.

Në thelb të këtij vendimi, qëndron arsyetimi se kruasani është një simbol i shtypjes së perëndimit ndaj botës islamike.

Grupi, i cili operon në Aleppo, solli në vëmendje se kjo ëmbëlsirë është në origjinën e saj një simbol i fitores së europianëve ndaj muslimanëve.

Në të vërtetë, për herë të parë, kruasani u realizua nga bukëpjekësit vjenezë, të cilët zgjodhën simbolin e gjysmëhënës, në shekullin e XVII, për ëmbëlsirën e cila u ideua me rastin e një fitoreje vendimtare që ndali ekspansionin e Perandorisë Osmane në muret e kryeqytetit habsburg, sot kryeqyteti i Austrisë.

Top Channel