Pacientët me veshka të infektuar me hepatite

31/07/2013 00:00

Një mal me halle për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda në
veshka. Të sëmurët që kryejnë procesin e hemodializës në vend kanë
probleme zinxhir, të cilat për vite me radhë nuk po zgjidhen.

Qytete, si: Elbasani, Korça, Durrësi, Tirana vuajnë fluksin e pacientëve, të cilët kërkojnë të bëjnë hemodializë, por spitali ka shumë më pak vende se sa kapaciteti i nevojshëm.

Pacientët me sëmundje të rënda në veshka kanë probleme me transportin, pasi duhet të lëvizin nga një qytet tjetrin, duhet të marrin shtëpi me qira, duhet të jenë të shoqëruar nga një i afërm, si dhe duhet të paguajnë kosto shtesë për të gjitha efektet anësore të sëmundjes.

Përveç kësaj, dhjetëra pacient]ë janë të prekur nga hepatitet dhe për muaj me radhë nuk marrin trajtimin për këto sëmundje, duke rrezikuar jetën. Po ashtu, një tjetër problem akut i të sëmurëve me veshka është procesi i gjymtuar që ata bëjnë.

Për shkak të fluksit të pacientëve dhe mungesës së aparaturave spitalet nuk u sigurojnë dot 12 orë proces dialize, por vetëm 4 ose 6 orë në javë, duke përkeqësuar sëmundjet dhe duke rrezikuar edhe jetën. Ndërkohë që në qytetin e Korçës aktualisht spitali nuk disponon pajisje të hemodializës.

Sakaq, gjatë këtyre tre viteve nuk është kryer asnjë transplant në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, ashtu siç u premtua.

“Pacientët me dializë kanë probleme jetike dhe të rënda. Në disa qytete pacientët nuk arrijnë të kryejnë procesin, ndërkohë që nuk po realizohet dializa e plotë. Është e tmerrshme që një pacient me dializë të vijë nga Elbasani në Durrës apo nga Korça në Tiranë. Në Korçë nuk ka fare dializë. Nuk ka vende për pacientët, procesi cenohet dhe kjo ka pasoja për shëndetin e pacientëve. Çështja e transportit nuk është zgjidhur asnjëherë tërësisht. Disa ambulanca janë vendosur në dispozicion për pacientët, ndërkohë që në Tiranë, ku ka dhe numrin më të madh të pacientëve, rimbursimi i transportit është vetëm 100 lekë të reja”, tha Vullnet Kaja, kreu i Shoqatës së pacientëve të sëmurë nga veshkat.

Sipas tij, problem më i rëndë mbetet infektimi nga sëmundjet e hepatiteve, të cilat merren gjatë procesit të dializës dhe nuk kurohen dhe trajtohen nga mjekët e spitaleve.

“Pacientë të prekur nga Hepatiti C prej gjashtë muajsh nuk trajtohen në spitale me barna për të luftuar sëmundjen, kjo është vdekjeprurëse. Për transplantet thonë që nuk ka fonde ndërkohë që është premtuar se shteti do të rimbursojë këto ndërhyrje në spitalet private”, sqaroi Kaja. Kreu i Shoqatës së pacientëve të sëmurë me veshka thotë se çështja e transportit, e rimbursimit të ilaçeve për të sëmurët me veshka që janë prekur edhe nga infeksione si Hepatiti asnjëherë nuk janë zgjidhur tërësisht. Ndërkohë, që gjatë këtyre tre viteve të fundit, pavarësisht premtimeve, janë shtuar rreth 50 vende, pajisje të hemodialziës në spitalin privat dhe nuk është bërë asnjë investim në spitalet e rretheve, si në rastin e Korçës.

Në vendin tonë, çdo vit janë 200 deri në 250 të sëmurë të rinj që kërkojnë dializë e 30 prej tyre kanë nevojë për transplant.

Në pavijonin e dializës në QSUT aktualisht marrin dializë rreth 120 pacientë, ndërsa në të gjithë vendin numërohen rreth 300 të tillë. Dy vjet më parë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i personave që do të përfitojnë nga dializa do të shkojë në 800, nga 500 që trajtohen.

Top Channel