Lakrori me dy peta, i pjekur në saç e i konsideruar si një prej gatimeve më të veçanta korçare për të disatin vit radhazi është ofruar për shijuesit e kulinarisë përmes Festës së Lakrorit.

Mbrëmja e së djelës mblodhi në qendër të parkut “Rinia” të Korçës me qindra qytetarë, vizitorë e turistë në Festën e Lakrorit.

Për mëse 4 orë, amvisat përgatitën para gjithë qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve një prej gatimeve tradicionale korçare, lakrorin me dy petë të pjekur në saç, duke u dhënë atyre mundësinë që jo vetëm ta shijojnë, por edhe ta shohin me sytë e tyre mënyrën e përgatitjes së tij.

Më tepër se 300 lakrorë u gatuan dhe u poqën mbrëmjen e së djelës dhe më pas u tregtuan për të gjithë ata që kishin vendosur të shijonin një “copëz” korçe.

Sipas organizatorëve, Festa e Lakrorit është shndërruar në një traditë të përvitshme që shënon kulmin e sezonit turistik veror, i cili mbyllet me Festën e Birrës.

Si një festë e vërtetë, ajo nuk solli vetëm shije, por edhe argëtim, ku mes tavolinave dhe shijes së lakrorit nuk mungoi as muzika, komponenti kryesor i çdo feste.

Top Channel