Shqiptarët janë një ndër popujt e Europës të prekur më shumë nga
hepatitët virale B dhe C. Të cilësuara, si epidemi të bardha, viruset e
tyre përhapen në mënyrë të fshehtë, shpesh pa e ditur njerezit që janë
bartës të tyre dhe pa ditur rriskun e zhvillimit të një sëmundjeje të
rëndë në trupin e tyre, me vdekshmëri të lartë.

Sipas një studimi të fundit të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 250 mijë persona në vendin tonë janë të infektuar nga virusi i hepatitit B dhe 30 mijë të tjerë janë të infektuar nga virusi i hepatitit C.

“Shqipëria në lidhje me hepatitin B, ka prevalencën më të madhe në Europë. Në krahasim me shumë vite përpara, kur prevalenca ka qenë 20 për qind, tani është ulur në 6 për qind, pavarësisht se mbetet ende shumë për të bërë. Me futjen e vaksinës së hepatitit B dhe me shtrirjen e programit të parandalimit të hepatit B tek fëmijët dhe tek adoleshentët ka bërë që në këtë grup moshash, kjo sëmundje pothuajse të eliminohet. Synimi ynë është që të rrisim një brez pa hepatit B. Problem mbetet tani pjesa tjetër e popullatës, të cilët duhet të testohen, duhet të vaksinohen në lidhje me hepatitin B, apo duhet të ndiqen, nëqoftëse janë bartës”, tha Silva Bino, shefe e sëmundjeve infektive.

Viruset e hepatiteve janë A,B,C,D dhe E. Më problem tek shqiptaret eshte virusi B dhe C.Virusi B gjendet në gjak dhe perhapet nga kontakti seksual, nga nena shtatzënë tek femija, transfuzionet e shpeshta te gjakut apo shiringat dhe aget jo sterile.Personat e prekur nga virusi B mund te jene thjesht bartes te tij, por raste te tjera te cilat avancojne shpejt mund te jene bartes kronike dhe jane te rrezikuar te pesojne hepatit kronik, cirroze apo kancer te melçise. Ndaj mjeket bejne apel per testimin e popullates dhe trajtimin e metejshem.

“Sa më herët që të diagnostikohet, aq më mirë është për të sëmurin. Duhet ditur që melçia është një organ që nuk dhemb. Rritja e transaminazave, që është enzima kryesore e qelizës së mëlçisë, si dhe e shoqëruar me shumë shenja të tjera, një rritje e mëlçisë, rritje e shpretkës, shfaqja e disa shenjave në lëkurë, që flasin për insuficensë të mëlçisë…Ne mund ta diagnostikojmë mëlçinë që në fazën e hepatiti kronik, por edhe në faq të avancuara, si cirroza, ndonjëherë mjerisht edhe me ndërlikime të saj, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe cojnë të sëmurin drejt vdekjes”, thotë Jovan Basho, mjek në shërbimin gastroenterologji- hepatologji në QSUT.
 
Ne te njejtat rruge merret edhe virusi i hepatitit C, i cili haset me pak se hepatiti B ne vendin tone, kryesisht tek grupet e rriskut si perdoruesite drogave, meshkuj qe bejne seks me meshkuj e te tjere, por ne 80 % te rasteve shkakton hepatiti kronik dhe 5-20%, prej tyre mund te paraqesin cirroze apo kancer te melçise.

“Të gjitha sëmundjet virale të melçisë mund të bëjnë dëmtime neoplazike ose të jenë predispozuese që të zhvillojnë një kancer. Hepatiti C më shumë, pastaj hepatiti B. Ne në Shqipëri kancerin e mëlçisë e takojmë tek hepatiti B sepse kemi më shumë të këtij lloji. Eshtë shtuar edhe hepatiti C. Ata që janë bartës duhet të kontrollohen në mënyrë periodike, një herë në vit. Sa i takon personit me hepatit B ose C, dy gjëra janë të sanksionuara, nuk duhet të shtojë në peshë dhe nuk duhet të përdorë alkool”, tha Basho.

Kerkohet qe testimi i popullates per hepatit B te kryhet nga te gjitha qendrat shendetsore, por dhe vete individet te ndergjegjësohen per te kryer nje analize te thjeshtë gjaku, qe diagnostikon e me pas parandalon semundje kaq te renda.

Shkenca ka avancuar dhe mjekimet e trajtimi i duhur bejne qe personat e infektuar edhe te sherohen, por ne Shqiperi shpesh mungojne testet e diagnostimit, por dhe mjekimet nuk i plotesojnë kerkesat.Nga 30 mijë të prekur me hepatit C, vetem 50 prej tyre trajtohen në QSUT.

“Mendoj që ka problematika në lidhje, qoftë me diagnozën, qoftë me mjekimin e hepatiteve për të qenë konform protokolleve ndërkombëtare, të cilat i kemi të vështira t’i zbatojmë në Shqipëri. Duhet që bazuar me një strategji e cila mungon, të kishte një investim më të madh në drejtim të plotësimit të protokollit të diagnozës, testet të jenë të disponueshme në të gjitha institucionet. Edhe në Qendrën Spitalore Universitare këto teste janë jo gjithnjë të disponueshme. Lista e barnave të rimbursueshme është shumë e cunguar ka vetëm një preparat antiviral, ndërkohë kërkesa qoftë për trajtimin e hepatitit C, qoftë për hepatitin B është shumë e madhe”, thotë Arjan Harxhi, mjek në shërbimin infektiv.
 
Ndaj hepatiti C, nuk ka nje vaksine, ndersa per hepatitin B kerkohet qe perveç medikamenteve te rimbursohet vaksinimi per popullsine adulte.

“Deri tani programi i vaksinimit financohet direkt nga shteti dhe financon këtë grup të popullatës. Pra 0-18 vjec, që janë vaksinuar falas dhe vaksinohen aktualisht, personeli shëndetësor, studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe Infermierisë dhe disa grupe të tjera rrisku, si ata që kryejnë dializë, apo persona të tjerë, të cilat janë mbuluar nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit. Pjesa tjetër kërkon një lloj strategjie tjetër, e cila duhet përfunduar dhe duhet të rimbursohet”, tha Bino.

Top Channel