Kriza në Europë, përkeqësohet shëndeti mendor

27/07/2013 00:00

Kriza ekonomike që ka përfshirë Europën prej vitesh tashmë, ka patur një ndikim tejet negativ mbi personat me probleme të shëndetit mendor.

Në këtë përfundim ka mbërritur hulumtimi i “King’s College” në Londër. Studimi vëren se kjo kategori është edhe më e prekur nga papunësia. Shifra e personave me probleme të shëndetit mendor që kanë humbur vendet e punës nga 2006 deri në 2010 është dy herë me e madhe se shifra e personave të tjerë që kanë humbur punën e tyre.

Papunësia mes kësaj kategorie është rritur nga 12.7 përqind në 18.2 përqind dhe përgjithësisht janë prekur meshkujt dhe personat me nivele të ulta arsimimi.

Studimi paralajmëron se përjashtimi shoqëror i kësaj kategorie përkeqëson situatën dhe rrit shanset për veprime të dhunshme deri edhe ekstreme.

Në studim u morën të dhëna nga 20 mijë persona nga 27 vendet e Europës.

Top Channel