Probleme me gjumin? Faji i Hënës

26/07/2013 00:00

Probleme me gjumin? Fajin mund ta ketë Hëna. Për vite me radhë shkencëtarët janë rrekur të kuptojnë nëse sateliti ynë natyror i vetëm ndikon tek koha që kalojmë në gjumë.

Pyetja e parë që shkencëtarët, studiuesit dhe biologët i bëjnë vetes është: nëse ndikon tek shumë gjallesa të tjera në tokë, kryesisht insekte dhe reptilë, përse të mos ketë ndikim edhe tek njeriu? Vërtetimi i plotë i kësaj teorie mbetet i pamundur, megjithatë përpjekjet nuk mungojnë.

Studimi i radhës që arriti në përfundimin se Hëna ndikon tek gjumi i njerëzve është ndërmarrë nga një grup studiuesisht të Universitetit të Bazelit në Zvicër. 33 persona dolën vullnetarë të flenë për disa ditë në atë që udhëheqësi i studimit, Christian Cajochen e quajti “klinika e gjumit”.

Gjatë kohës që ishin në gjumë, studiuesit monitoronin aktivitetin e trurit të gjithësecilit prej këtyre personave dhe kohën e fjetjes. Cajochen thotë se kur Hëna ishte e plotë, aktiviteti i trurit në gjumë u reduktua me 30 përqind tek të gjithë personat. Jo vetëm kaq, por në netët me Hënë të plotë, niveli i melatoninës (hormoni që rregullon ciklin gjumë-zgjuar) ishte më i ulët dhe personave u duhej më shumë kohë që t’i zinte gjumi.

Tjetër efekt që vunë re studiuesit zviceranë ishte edhe kohëzgjatja. Mesatarisht me Hënë të plotë të gjithë fjetën rreth 20 minuta më pak dhe në zgjim pyetjes së si kishin fjetur, që të gjithë iu përgjigjën keq.

“Cikli hënor ndikon në gjumin tonë edhe kur ne s’e kuptojmë, sepse shpesh nuk e dimë se në cilën fazë është ky cikël në momentin kur mbyllim sytë”, thotë Cajochen.

Studiuesi zviceran shprehet i bindur se Hëna ndikon në gjumin tonë, ndërsa mënyrën se si ndikon e thotë se e kemi trashëgim gjenetik nga prehistoria.

“Njerëzit e parë kishin frikë të flinin, ose flinin të shqetësuar gjatë netëve me Hënë të plotë. Ata kishin frikë nga drita dhe nuk ndjeheshin të sigurtë ndaj grabitqarëve të natyrës, ndaj dhe flinin më pak, ose aspak”, thotë Cajochen.

Kjo mund të ketë qenë e vërtetë qindra-mijëra vite më parë, por sot është krejt ndryshe. Studime pasuese, ndoshta do të vërtetojnë teorinë e lidhjes mes cikleve të Hënës dhe gjumit tonë.

Top Channel