Apple, të ardhurat përtej parashikimeve, prej iPhone-ve

24/07/2013 03:40

Aksionet e prodhuesit të kompjuterave dhe smartphone-ve, Apple, janë rritur me afro 5% në bursë pas orarit të tregtisë, vetëm pak pasi u raportua se përfitimet e tremujorit të tretë ishin më të larta nga sa pritej.

Apple pati një fitim prej 6,9 miliardë dollarë për 3 muaj, prill-maj-qershor, veçanërisht falë shitjeve të smartphone-ve iPhone. Sipas kompanisë, u shitën rreth 31,2 milionë iPhone, një rekord për këtë 3 mujor, krahasuar me 26 milionë gjatë vitit të kaluar.

Por, të ardhurat janë 22% më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, pasi marzhet e përfitimit u tkurrën në 36,98%, nga 42,8%.

Gjithsesi, çmimet mesatare të shitjes kanë rënë në 581 dollarë, krahasuar me 608 dollarë të vitit të kaluar.

Të ardhurat ishin gjithashtu më të larta nga sa pritej, teksa kompania ka fituar plot 35,3 miliardë dollarë, pak më shumë se 35 miliardët e vitit të kaluar.

Analistët thonë se të dhënat, veçanërisht për shitjen e iPhone-ve, mund të ndihmojnë në qetësimin ndaj frikës së ngadalësimit të normës së rritjes së Apple.

Top Channel