Gazetari Emilio Fede, agjenti i talenteve Lele Mora dhe ish-vajza e spektaklit dhe përfaqësuesja e rajonit të Lombardisë, Nicole Minetti, u dënuan me 5 deri në 7 vjet burg, për favorizim të prostitucionit të të miturve.
Sipas gjykatës së Milanos, ata i siguruan prostituta ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, për festat aq shumë të përfolura “bunga-bunga”.
Dënimi me 7 vjet i Fede-s e Mora-s dhe 5 vjet për Minetti-n, vjen 26 ditë pas dënimit të Berlusconi-t me 7 vjet heqje lirie, sepse kishte pasur marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren Karima El Mahroug, e njohur si Rubi.
Përveç se ka mohuar të kenë pasur ndonjë lidhje, Al Mahrug deklaroi se nuk ka qenë kurrë prostitutë, ndërsa Berlusconi tha se “të ashtuquajturat festa të seksit” nuk kanë qenë kurrë të tilla, por darka me të ftuara, të cilat bënin kërcime “burleske”.
Trupi gjykues dëgjoi një dëshmi, sipas stë cilës Minetti i kishte dhuruar një kërcim “shkatërrues”, siç e quajnë mediat, kryeministrit të atëhershëm, duke u zhveshur nga kostumi i një murgeshe.
I pranishëm në sallën e gjyqit, në Milano, ishte vetëm Lele Mora. Atij dhe Emilio Fede-s iu ndalua të mbajnë poste publike. Nicole Minetti u shpreh e habitur për “ndëshkimin e tepruar”.
Të tre të dënuarit kanë hedhur poshtë akuzat dhe me shumë gjasa do të apelojnë kundër dënimit. Po kështu, edhe Berlusconi po apelon ndaj vendimit, që e ndalon atë të mbajë poste publike. Ai është një njeri i lirë dhe deputet në Parlamentin e Italisë.
Top Channel