Panamaja ndalon anijen koreano-veriore

16/07/2013 00:00

Presidenti i Panamasë, Ricardo Martineli ka deklaruar se vendi i tij ka sekuestruar një anije me flamur koreano-verior, që po transportonte “materiale ushtarake të paspecifikuar”.

Zoti Martineli tha për mediat lokale se anija, që po vinte nga Kuba drejt vendit të tij, përmbante “pajisje të sofistikuara raketash”.

Ai postoi në profilin e tij në rrjetin social Twitter një foto që tregonte një objekt të madh jeshil brenda një konteineri mallrash.

Martineli tha se anija, e cila u vu nën gjurmim pasi kaloi Kanalin e Panamasë, është ndaluar për të kryer hetime të mëtejshme.

“Ne do ta mbajmë anijen të pashkarkuar dhe do të zbulojmë me saktësi se çfarë janë mjetet që ndodhen në të”, theksoi presidenti.

Ndërkohë,
ekuipazhi prej 35 anëtarësh i anijës është arrestuar, përfshirë
kapitenin që sipas zotit Martineli tentoi të vetëvritej gjatë
kontrollit.

Ndërsa ministri i Sigurisë, Jose Raul Mulino
deklaroi se dyshimet mbi anijen u ngritën pas reagimit të dhunshëm të
kapitenit dhe ekuipazhit kur u njoftuan për kontroll.

E ndodhur nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara, Koresë së Veriut i ndalohet eksporti dhe importi i të gjitha armëve, përveç atyre me përmasa të vogla.

Sanksionet u përforcuan pas testit të tretë bërthamor të Penianit më 12 shkurt, duke futur këtu edhe autoritetin e shteteve për të inspektuar ngarkesa të dyshimta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA