
Gara e Silverstonit do të mbahet mend gjatë dhe do të hapë shumë polemika në lidhje me gomat Pirelli. Plot 5 makinave i ka shpërthyer goma e pasme e majtë duke rrezikuar jashtëzakonisht shumë jetën e Hamilton, Massa, Vergne, Gutierrez dhe Perez.
“Kur arrija shpejtësinë maksimale mendoja se jam në duart e Zotit. Isha gati të pranoja vullnetin e tij.” Këto janë fjalët e pilotit të Ferrarit, Felipe Massa, i cili shpjegoi se si e vazhdoi garën pas zëvendësimit të gomës së shpërthyer.
Sergio Perez (McLaren) ka të njëjtin mendim: “Po rrezikojmë jetën dhe nëse diçka e tillë ndodh sërish, mund të vdesim. Duhen marrë masa.”
Lewis Hamilton tha: “Siguria duhet të jetë primare. Të të shpërthejë goma në shpejtësi maksimale është shumë e rrezikshme. Ndoshta po presin që dikush nga ne ta pësojë.”
Por pse ndodhën këto shpërthime gomash në Silverstone? Asfalti i pistës britanike është më i ashpri i kampionatit. Gjithashtu, kthesat e shpejta të kësaj piste i konsumojnë shumë gomat. Kthesat më të vështira janë nga krahu i majtë e për këtë arsye gomat e majta mbajnë peshën më të madhe.
Top Channel