Procesi normal, por edhe probleme

24/06/2013 00:00

Në një konferencë shtypi, një dite pas zgjedhjeve parlamentare, Koalicioni i vëzhguesve vendore ka pohuar se sipas tyre, dita e votimit ka ecur normalisht.

Kjo, sipas tyre, duke përjashtuar incidentin tragjik ne Laç, disa incidente të izoluara përplasjesh mes konkurrentësh politikë në vende të tjera, si dhe disa probleme me kartat e identitetit, të cilat janë shoqëruar me presione dhe intimidim të votuesve.

“Procesi zgjedhor, që në nisje të tij me konstituimin e KQZ-së dhe deri në fund u trajtua me një ndjeshmëri të ulët ndaj zbatimit të ligjit, duke filluar nga institucionet më të larta të shtetit, si Presidenti dhe Kuvendi i Republikës. KQZ nuk arriti të merrte vendim konsensual as për cështje të thjeshta teknike sikundër ishte ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor për cdo zonë, madje hoqi dorë nga marrja e një vendimi me një vendim absurd për të mos marrë vendim. KQZ akoma nuk ka miratuar rregulloren e brendshme të institucionit dhe vazhdon të pa të dhe sot. KQZ dështoi në implementimin e teknologjisë së re, në procesin e përgatitjes dhe saktësimit të listave shënoi shkelje afati. Vendi hyri në zgjedhje me një sërë dispozitash formalisht jo korrekte dhe të pavlera për shkak të mungesës së dispozitave që kërkojnë shumicë të cilësuar. Burime të administratës qendrore dhe lokale u përdorën gjërësisht duke cënuar cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarit”, deklaroi Gerta Meta nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë. 

Gjithashtu, koalicioni ka vlerësuar pjesëmarjen e të rinjve dhe grave në fushate si dhe rolin e mediave në pasqyrimin sensibilizues  e të gjithanshëm të saj.

“Të marrë masa për funksionimin e teknikës mbështetëse në procesin e numërimit sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor dhe aktet e nxjerra nga vetë KQZ vecanërisht në kohën e detyrueshme që fleta e votimit duhet të qendrojë në skaner në mënyrë që ajo të shihet qartë nga vëzhguesit e subjekteve elektoralë. KQZ të pasqyrojë dhe përditësojë në faqen e tij të internetit të gjithë veprimtarinë dhe vecanërisht aktet e ndërmarra nga KQZ për procesin në vazhdimësi deri në shpalljen e rezultatit final”, deklaroi Rajmonda Prifti nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë.

Është vlerësuar edhe menyra sesi KQZ-ja ka menaxhuar procesin ditën e votimit,  megjithë mungesen e anetareve.

Por, Koalicioni ka shprehur edhe sugjerimet dhe pakenaqesite e konstatuara. Nje prej tyre eshte mungesa e transparences per publikun ne lidhje me financimin e kushtueshem te fushates elektorale.

Top Channel