Partia Demokratike në Greqi deklaron se tërhiqet nga koalicioni qeverisës, pas debateve që pasuan mbylljen e televizionit shtetëror ERT.

Partia në fjalë është më e vogla në koalicionin e kryeministrit Andonis Samaras dhe tani i duhet të vendosë nëse do të mbështesë më tej qeverinë në Parlament.

Nëse ajo do të vendosë të tërheqë mbështetjen e saj, dy partitë e mbetura të koalicionit do të kenë një shumicë me tre vende plus në Parlament.

Tërheqja e demokratëve shton frikën për një destabilitet politik në Greqi dhe vë në dyshim kapacitetet e vendit për të menaxhuar krizën e borxhit.

Nga ana tjetër, ajo lë në skenën politike një koalicion që nuk do të jetë më aq përfaqësues, thotë korrespondenti i BBC në Athinë, Mark Lowen.

E Majta Demokratike është e irrituar për faktin se qeveria nuk e konsultoi me të vendimin e javës së kaluar për të mbyllur televizionin publik, ERT, me qëllim kursimin e financave.

Subjekti politik në fjalë kishte dy ministra në koalicion, ku pjesëtarët e tjerë janë partia e qendrës së djathtë e Samaras, Demokracia e Re, dhe ajo e qendrës së majtë, Lëvizja Socialiste Panhelene, PASOK.

Autoritetet nga të treja partitë deri tani e kanë përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që do të vinin në rrezik reformat e kërkuara nga Trojka, BE, FMN dhe BQE, në këmbim të ndihmave.

“Vendit nuk i duhen zgjedhje”, deklaroi lideri i së Majtës Demokratike, Fotis Kouvelis në një prononcim, pasi njoftoi tërheqjen e partisë së tij nga kabineti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA