Të gjesh një shtëpi brenda shtëpisë

31/05/2013 10:35

Një studente norvegjeze zbuloi në mënyrë të pabesueshme, një shtëpi brenda shtëpisë së saj, informuan të premten mediat skandinave.

Në të vërtetë, e reja zbuloi se në banesën ku ajo jetonte, kishte një papafingo ekzistencën e të cilës nuk e njihte dhe kjo dhomë e fshehtë kishte qenë e banuar, me shumë gjasa nga ndonjë person apo familje hebreje gjatë pushtimit nazist të Norvegjisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prej vitesh, e reja jetonte në të njëjtën banesë, por nuk ishte bërë kurrë kurioze për të parë se çfarë mund të kishte pas një portëze druri, të vendosur në tavanin e një prej dhomave.

Në të vërtetë, kur ajo ishte zhvendosur në banesë, askush nuk i kishte thënë për këtë aneks të panjohur të shtëpisë, e duke mos e ditur, ajo kishte supozuar se prishja e uniformitetit të tavanit nga kjo portëz ishte për qëllime jofunksionale.

Megjithatë, e shtyrë nga kurioziteti, ajo vendosi që të hapte këtë portë, duke zbuluar një vend sekret të pabesueshëm.

Një papafingo e ngushtë, ishte përshtatur si një strehëz, në të cilën ndodhej një hartë e Europës, një mbishkrim në norvegjisht që shkruante: “nëse ke stomak të dobët, mos u ngjit në këtë dhomë” dhe një radio e stakuar që në kohën e Luftës së Dytë Botërore tek “BBC”, që me shumë gjasa i lejonte banorit të dikurshëm të ndiqte zhvillimet e luftimeve ditë pas dite.

Vendfshehja, e ngjashme me atë të Ana Frankut, e bërë e famshme nëpërmjet ditarit të mbajtur prej adoleshentes hebrehe gjatë katër viteve të izolimit të saj në një banesë të shndërruar sot në muze në Amsterdam, dikur i lejoi me shumë gjasa një hebreu apo armiku të nazismit, që t’i mbijetonte Luftës së Dytë Botërore, falë edhe bashkëpunimit të banorëve të dikurshëm norvegjezë të shtëpisë, të cilët u zhvendosën nga shtëpia pas luftës pa thënë asnjë fjalë për papafingon e tyre të fshehtë.

Top Channel