Elhaida Dani është krenaria e Shqipërisë. Me talentin e saj ajo ka arritur javë pas jave të rrëmbejë zemrat e publikut italian derisa u shpall zëri më i mirë. Këngëtarja shkodrane mori mbi 70% të votave të italianëve për tu kurorëzuar fituese në ‘The Voice Of Italy’.

Një 15-vjeçar mund të dëshirojë vetëm të luajë dhe të kalojë pushimet me bashkëmoshatarët e tij, por ky nuk është rasti i Inis Bitrit. I riu tregoi në “Pasdite ne Top Channel” se dëshira për punë e kishte bërë që të gjente një të tillë sapo kishte mbaruar klasën e nëntë. Ndërkohë, frymëzues ishte edhe rrëfimi i Qemal Rroshit, i cili nuk u dorëzua edhe pasi në një aksident tragjik humbi shikimin dhe njërën dorë. Ai krijoji botën e tij për të ndërtuar një jetë si gjithë të tjerët.

Është konsideruar mrekulli mbijetesa e një foshnjeje në kanalizimiet e ujërave të zeza në Kinë. Prindërit e djalit disa ditësh e kishin hedhur atë në tualet dhe më pas e kishin shkarkuar ujin, me idenë që ai do të mbytej dhe do të zhdukej përfundimisht. Por ka qenë njëri nga komshinjët e pallatit që ka dëgjuar të qarat e fëmijës dhe ka njoftuar zjarrfikësit të cilët bënë të mundur shpëtimin e tij. Prindërit e fëmijës janë shpallur në kërkim nga policia kineze dhe rrezikojnë dënimin me vdekje.

Ardhja në jetë e një fëmije është momenti më i lumtur për një familje. Por, kur fëmija lind pas 19 abortesh, gëzimi është i pafund. Kjo është historia e Jo Short, një 37-vjeçare angleze e cila tregoi për një televizion britanik se si për 14 vite nuk kishte mundur të lindte dot një fëmijë. Ajo vuante nga një sëmundje e pazakontë, e quajtur endometriosis. Zonjës Short iu desh një ndërhyrje novatore në fushën fertilizimit in-vitro për të pasur mundësi që të lindte, së bashku me bashkëshortin e saj, një vajzë që gëzon shëndet të plotë.

Top Channel