Pushimet e verës për fëmijët

30/05/2013 18:30

Daniel Pasho po shëtit me familjen e tij. Ndërsa Eris Dibra po zgjedh librat që do të lexojë gjatë 3 muajve në vijim pasi do të ketë kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë gjë.

Pas pak ditësh do të mbyllet viti akademik dhe  nxënësit do të marrin pushimet verore, aq të dëshiruara për ta.

“Pushimet i pres me padurim pasi shkolla mbaron dhe kam mundësi të argëtohem”, thotë Erisi.

Danieli përfundon klasën e tretë. Atij i pëlqen shumë të kalojë kohë me prindërit, motrën dhe vëllain e vogël. Por, për këtë duhet të presë që mami dhe babi të kthehen nga puna. Muajt e verës janë një sfidë e madhe.

Babai i Danielit, Alban Pasho, tregon: “Duhet të mendosh se çfarë do të bëjë fëmija gjatë ditës. Nëse nuk e mban dot gjyshja, alternativat e tjera janë të kushtueshme.”

Ndërsa mamaja e Erisit deklaron: “Vajza do të qëndrojë 8 orë vetëm në verë. Do të shkojë ose te gjyshja, ose tek tezja.”

Erisi është 12 vjeç. Ajo po mbyll klasën e gjashtë. Dëshiron që ditët e saj të jenë aktive, plot argëtim, por tashmë e di se kjo gjë do të realizohet vetëm kur prindërit e saj të marrin pushimet. Duke numëruar ditët deri kur të bëjnë valixhen gati për të udhëtuar, ajo e di sesi do të jetë kjo stinë për të: “Rregulloj shtëpinë, bëj punët dhe merrem me qenin.”

“Më vjen keq që nuk do të kalojë një fëmijëri siç e kemi pasur ne, kur kishim ku të luanim. Mundohemi që 15 ditët e pushimit t’i kalojmë sa më mirë”, thotë mamaja e vajzës.

Për 9-vjeçarin Daniel, muaji korrik do të jetë ashtu siç ai dëshiron të jenë të 3 muajt e pushimeve: “Do të shkoj në plazh, vijnë kushërinjtë dhe luaj me ta.”

Inisi, punë që 15 vjeç

Inis Bitri ka filluar të punojë që kur ishte 15 vjeç. Menjëhërë pas përfundimit të klasës së nëntë iu dha mundësia të jetë kamarier në një dasmë.

Një eksperiencë e lodhshme që i dha besimin tek vetja se ai mund të vazhdonte të punonte gjatë 3 muajve të pushimeve të verës.
Edhe për prindërit vendimi i Inisit ishte i papritur.

“Fillimisht më erdhi mirë, por edhe u mërzita sepse ishte shumë i vogël. I thashë të mos lodhej shumë dhe rrija gjithë natën zgjuar dhe kisha merak. Vinte në 3 të natës dhe atëherë flija e qetë. Unë i këshilloj nënat që fëmijët e tyre të punojnë në adoleshencë, por të punojnë me orar të shkurtuar.”

Kjo ishte një eksperiencë që Inisi e praktikoi edhe gjatë pushimeve verore të viteve në vijim. Punonte kamarier me kohë të plotë në një bar dhe kamarier në dasma fundjavave. Për miqtë e tij, kafja ku punonte Inisi u kthy në vendin e preferuar për të kaluar kohën e lirë:“E dinim që Inisi nuk do kishte më kohë për të ndenjur me ne, kështu që shkonim ne atje ku punonte. Ishte e çuditshme të të shërbente shoku i ngushtë”

Sot dita e Inisit, i cili pak ditë më parë ka mbushur 19 vjeç, është e  programuar. Ai është në vitin e tretë të shkollës profesionale “Gjergj Canca” dhe njëkohësisht punon pranë një kompanie si instalues interneti. Një i ri plot energji dhe virtyte, që përpos këtyre ka një shembull shumë pozitiv për t’ju dhënë moshatarëve.

Punët sezonale të përshtatshme për adoleshentë

Vera nuk është vetëm sezoni i gjatë i pushimeve për adoleshentët, por edhe koha e cila duhet mbushur në mënyrën më të mirë. Se cila do të ishte mundësia ideale, për këtë ka opinione të ndryshme.

Specialistët e karrierës këshillojnë që adoleshentët të punojnë gjatë verës punë sezonale apo edhe punë me orar të shkurtër për arsye eksperience, edukimi me tregun e punës, por edhe për përfitim monetar.

Pavarësisht se infrastuktura nuk ofron shumë lehtësira për adoleshentët që ende nuk  kanë mbushur të 18- tat, ka disa punë të cilat ata mund t’i kryejnë.

Shpërndarës broshurash. Shumë biznese janë të interesuara të reklamojnë produktet e tyre nëpërmjet shpërndarjes dorazi të broshurave në çdo shtëpi.

Dizajnues uebi. Nëse pëlqeni internetin, vera është koha për t’iu kushtuar punës më të thelluar me të. Dizajnimi i uebeve është një punë sa e vështirë, por aq edhe e shpërblyer.

Kujdesi për kopshtet. Në verë gjithçka lulëzon, shpesh personat që janë të pasionuar pas luleve dhe kopshteve shumëngjyrëshe, kërkojnë punëtorë që të krasisin, mbjellin apo kujdesen për to.

Kujdestar kafshësh. Sezoni turistik veror është koha kur secili e kupton nevojën për pushime, por jo çdo njeri që kujdeset për një kafshë, mund ta marrë atë me vete. Kështu, kundrejt një pagese, mund të kujdeseni për kafshët e atyre që janë larguar me pushime.

Pastrues pishinash. Pishinat e hapura apo ato të mbyllura janë gjithmonë të mbushura me njerëz, pastrimi i tyre është diçka që një adoleshent mund ta bëjë lehtësisht.

Kamerier. Shërbimi ndaj publikut në restorante, dyqane akulloresh apo fast food-e, janë punët më të përhapura gjatë sezonit veror, veçanërisht nëse është biznes familjar.

Blini dhe shisni. Një tjetër mënyrë e mirë për të fituar disa para’ është të blini e shisni sende të vogla. Për këtë qëllim mund të përdorni edhe faqen më të madhe të shitjeve, “Ebay”.

Marketet. Janë një mundësi e mirë për të gjithë që po kërkojnë një punë sezonale. Me rritjen e punës kërkohet edhe rritje e stafit. Ju mund të punoni në arkë, të sistemoni produktet etj.

Dyqanet e lodrave. Në verë shëtitoret e mëdha mbushen plot, fëmijët duan të luajnë dhe pronarët e lojërave duan t’i vënë ato në punë. Ju mund të jeni njeriu i duhur për tu marrë me fëmijët apo edhe me kujdesin mekanik të parkut.

Kujdestar kampi veror. Shumica e kampeve verore kërkojnë të rinj që kanë aftësi të mira drejtuese. Shpesh anëtarë të stafit janë adoleshentët.

Nëse merreni me art, si piktura dhe muzika, do ta keni më të lehtë punën verore. Gjeni vendet e duhura dhe praktikoni talentin tuaj.

Nëse keni aftësi të mira me gjuhët e huaja, janë shumë faqe interneti nëpër botë, që kërkojnë persona që shkruajnë, redaktojnë apo edhe krijojnë lloje të ndryshme tekstesh.

Kohën tuaj të pushimit mund t’ia kushtoni edhe intershipeve, të cilët jo gjithnjë të sjellin të ardhura, por që mund të ndikojnë shumë pozitivisht në karrierën tuaj.

Është e rëndësishme që inisiativa për punë të mbështetet nga prindërit. Aktiviteti i shtëpisë është i rëndësishëm për tu mësuar të rinjve të vlerësojnë atë që kanë pasi janë përpjekur vetë për ta arritur.

Top Channel