Ekuipazh i ri niset për në hapësirë

29/05/2013 03:30

Dy veteranë të hapësirës dhe një astronaut fillestar janë nisur për një mision 6-mujor në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), nga baza në Kazakistan, me anë të një anije ruse, në orët e para të së mërkurës.

Treshja, kozmonauti rus Fyodor Yurchikhin, astronauti amerikan Karen Nyberg dhe italiani Luca Parmitano i Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA), do të bashkohen në ISS me një tjetër ekuipazh, që ndodhet atje.

Kapsula Soyz, ku janë futur ata dhe me të cilën do të udhëtojnë në orbitë, u ngrit në 2:31 me orën lokale, nga kozmodromi Baikonur, për një udhëtim 6 orësh deri në hapësirë.

Ata do të bashkohen me Chris Cassidy të NASA-s dhe Pavel Vinogradov e Alexander Misurkin, të agjencisë ruse hapësinore, Roscosmos, të cilët ndodhen në hapësirë që prej marsit.

Ky është udhëtimi i katërt në orbitë për Yurchikhin, i cili ka udhëtuar më parë edhe me “Space Shuttle Atlantis” në 2002.

Nyberg u ngjit në hapësirë në bordin e një “Shuttle Discovery” në 2008, ndërsa Parmitano ka ndërmarrë udhëtimin e tij të parë në hapësirë. Ata do të qëndrojnë në ISS deri nga mesi i nëntorit.

Ata po zëvendësojnë 3 anëtarë të ekuipazhit, të cilët u rikthyen në Tokë 2 javë më parë, mes të cilëve astronauti kanadez Chris Hadfield.

Top Channel