Zumba është një program kërcimi i krijuar nga balerini dhe koreografi kolumbian Alberto Perez në vitet 1990.

Kërcimi lindi si rezultat i një rastësie. Siç njihet ndryshe, Beto harroi diskun me muzikë aerobie për një klasë që instruktonte. I gjendur në këtë situatë mori diskun që kishte në çantë me muzikë salsa e merenge dhe improvizoi. Përdori lëvizjet aerobike me një muzikë jo tradicionale.

Pasi korri shumë sukses në Kolumbi, në vitin 2001 u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku së bashku me 2 shokë Alberto Perlman dhe Alberto Aghion e përhapën këtë lloj kërcimi në Amerikë dhe në të gjithë botën. Është krijuar një tendencë e re, njerëz të ndryshëm bëhen pjesë e organizimeve në salla të mëdha ose në ambiente të hapura ku kërcehet zumba.

Zumba ofron mundësi të ndryshme dhe ithtarët e saj thonë se ky lloj kërcimi nuk njeh kufi moshe. Siç thuhet nga specialistët, një sesion tipik i zumbës djeg nga 500 deri në 1000 kalori.

Seancat e Zumbës zgjasin rreth 1 orë. Ushtrimet përfshijnë muzikë me ritme të shpejta, por edhe të ngadalta.

Popullariteti i këtij stili vihet re edhe tek VIP-at. Jennifer Lopez dhe Kirstie Alley njihen si persona që marrin pjesë vazhdimisht në klasat e zumbës, ndërkohë që Jackie Chan është xhiruar rastësisht duke i performuar ato ushtrime.

Njerëz të tjerë të famshëm që janë fansa të zumbës mund të përmendim Eva LaRue, Jennifer Love Hewitt, Natalie Portman, Emma Watson, Victoria Beckham, Halle Berry, Toni Braxton dhe Nicky Hilton.    

Të humbasësh 40 kile në 2 vite

Në datën 1 maj të këtij viti Luiza Ceno festoi jo vetëm ditëlindjen e motrës së saj, por edhe mbushi plot 2 vite që nga dita e parë kur filloi dietën.

Vuante nga hernia diskale, shtylla kurrizore nuk i mbante dot peshën e rëndë të trupit të saj. Kishte 2 rrugë: ose të bënte ndërhyrjen kirurgjikale, ose të fillonte të mbante dietë dhe të humbte kilet e tepërta. Përpara se t’i dorëzohej faktit, vendosi t’i shpallte një sfidë vetvetes. Duhej të hante çdo 2 orë, por shumë pak.

Jeton në Kanada dhe është laborante dentare, kështu që e përdorte makinën për të lëvizur nga një vend në tjetër, por thotë se nga momenti i parë që mori vendimin për t’u dobësuar, la edhe makinën. Shkonte në këmbë në punë me idenë që jo vetëm të frenonte veten në të ngrënë, por edhe të tonifikonte trupin. Nuk kishte kohë të shkonte në palestër, por arriti që pak nga pak të arrinte rezultatin që donte.

Muajin e parë humbi 5 kile, të dytin dhe të tretin nga 3 kile, kurse 3 muajt në vijim asnjë kilogramë. Megjithatë, në këto 2 vite vullneti i saj ka vlejtur për diçka. Ndoshta duket e vështirë për t’u besuar, por ka humbur 40 kilogramë.

Mbështetja e familjes dhe e kolegëve të saj të punës ka qenë një nga pikat e forta pa suportin e të cilës nuk ia kishte dalë dot mbanë.

“Nobis”, të kujdesesh për mendjen dhe trupin

Të kujdesesh për trupin dhe mendjen është një nga pikat e forta të karakterit të çdo individi e veçanërisht kur bëhet fjalë për femrat.  

Jola Canhas është një nga vajzat që kujdeset për veten. Pavarësisht se është ende e re dhe ka trup të mirë, dëshiron të humbë disa kile dhe mbi të gjitha të tonifikojë trupin: “Mendoj se është momenti i duhur për të nisur të kujdesem për trupin. Po ndjek një program tonifikimi dhe dobësimi.”

Ka dëgjuar për mënyra nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet se si njerëzit humbasin në peshë, por ajo është pak skeptike.  Në rast se kërkon të jetë në formë, këtë gjë dëshiron ta bëjë në mënyrë sa më natyrale, të shëndetshme, por edhe të ndjehet mirë moralisht.

Migena Hoxha është një nga instruktoret e “Ëellness Center Nobis”. Ajo ndërtoi një program të personalizuar për Jolën në mënyrë që të arrihen pritshmëritë e saj. Në fillim bëhet nxehja, për të vazhduar më pas me ushtrime më të vështira nga dita në ditë e që përkthehen me rezultate konkrete.

Pasi ka mbaruar procesi i parë (fitness-i), kalohet tek pishina: “Pishina shërben për tonifikim dhe dobësim. Ka ushtrime shpejtësie dhe intensiteti. Në përgjithësi trajnimi zgjat 6 muaj.”

Siç thotë edhe përgjegjësi i pishinës, Alban Hamzai, noti është një nga armët më të forta për tonifikimin e trupit. “Hidrobyke”, instruktorët, ambienti dhe mikpritja janë vlera të shtuara që të bëjnë të ndjehesh mirë dhe komode.

Pas lodhjes dhe ushtrimeve, Jola kalon në zonën e relaksit: “Bëhet një trajtim fytyre për të përgatitur lëkurën për stinën e verës. Në trup bëhen seancat e baltës që janë për dobësim dhe anticelulit.”

Irma Rrodhe është vajza që u kujdes për Jolën dhe lëkurën e saj në pjesën e estetikës. Në fakt, çdo femër e çdo mashkull ka nevojë të marrë trajtime të ndryshme, të kujdeset për veten e mbi të gjitha të ndjehet mirë.

SPA-ja, relaksi i kripës, jacuzzi dhe përshkimi knippe ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe masazhimin e thembrës. Kjo hapësirë njihet ndryshe si zona e relaksit dhe është një nga pjesët më të preferuara.

“Ndihem shumë e relaksuar. Palestra të lodh pak, por zona e SPA-së të qetëson shumë”, thotë Jola.
 
Pas përfundimit të ditës së parë, Jola i gëzohet një dreke të shëndetshme dhe dietike në ambientet e restorantit.

Top Channel