“Pengu im i vetëm, një fëmijë”

27/05/2013 18:45

Një fëmijë ka gjithmonë shumë pyetje për të bërë, kërkon të njohë botën e të eksplorojë çdo hapësirë të panjohur. Megjithatë kureshtja e vogëlushëve që nuk lodhen asnjëherë me përse-të, jo gjithmonë përfundon në mënyrën më të mirë të mundshme.

Shumë vite më parë, Qemal Rroshi së bashku me vëllanë dhe njërin prej kushërinjve të tyre vunë re dicka të pazakontë në murin rrethues të shtëpisë.

“Pamë një gjë të kuqe që ishte bombë në fakt, unë doja ta bëja zile për bagëtinë dhe nuk e dinim se çfarë ishte e sesi funksiononte. E tërhoqa dhe ajo plasi”, rrëfen dramën e jetës së tij Qemali.

Ishte ai moment që ndryshoi rrjedhën e jetës së djaloshit të dikurshëm që sot i ka kaluar të 60-at.

“Humba sytë dhe krahun. E gjithë familja e përjetoi keq”, rrëfen Rroshi, i cili nuk sheh asnjë rreze dritë dhe ka humbur njërin krah, e megjithatë vazhdoi të jetonte.

Ndërsa vitet kalonin, ai krijoi botën e tij dhe për cdo ditë angazhohet me dicka të re që në shumë raste edhe për njerëzit që kanë dy duar e shikim normal është e vështirë.

Rregullon televizorë, radio, soba elektrike, rezistenca, bën dyer, dritare, pricina për pantallonat, shtypëse hudhërash, gdhend lugë dhe çdo gjë tjetër që i duket interesante kur e prek, madje me anë të mjeteve rrethanore ka arritur të përgatisë vetë të gjitha mjetet e punës.

“Rregulloj lloje të ndryshme gjërash, i hap i rregulloj me anë të prekjes”, dëshmon 60-vjeçari.

Qemali ka edhe shpirt artistik. Ai ka bërë një çifteli dhe një dajre. Pavarësisht se mund t’iu duket e vështirë se si mundet t’i bjerë ciftelisë me një dorë, ai ka sajuar vetë një mjet “ndihmës” vetëm për këtë gjë, e mesa duket ia ka arritur qellimit.

Ka një sens orientimi që të mahnit, është shumë krijues, por ende ka diçka që i mungon e pa të cilën ndjehet i paplotësuar.

Ai do të donte të krijonte familjen e tij si gjithë të tjerët. Për të është familja ajo që i jep kuptim jetës së cdo individi!!!

Top Channel