Neymar luajti ndeshjen e tij të fundit me Santosin mbrëmjen e së dielës (barazim 0-0 ndaj Flamengos) dhe pas takimit theksoi se për të është një nder i madh që do të luajë në një skuadër me lojtarë si Messi, Iniesta dhe Xavi.
“Nuk më besohet që do të luaj me skuadrën më të mirë në botë. Është një nder për mua. Të luash me Messin është një ëndërr”, deklaroi sulmuesi i ri brazilian.
21-vjeçari pëlqehej shumë edhe nga Real Madrid, klub që ofroi edhe më shumë para’ për të, por vetë Neymar preferonte të luante për katalanasit. Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ngacmoi Realin duke deklaruar: “E përgëzoj Neymarin që zgjodhi një projekt sportiv para një projekti ekonomik.”
Tashmë Barcelona pritet që ta prezantojë blerjen më të re në fillim të muajit qershor.
Neymar njoftoi në Instagram në mbrëmjen e së shtunës se do të firmoste një kontratë me Barcelonën. Talenti i futbollit brazilian është blerë 32 milionë euro, por gjithsej Barcelona ka shpenzuar 72 milionë euro pasi 50 milionë të tjera i ka marrë Neymar dhe babai i tij si shpërblim.
Top Channel