Tualeti më i shpejtë në botë

22/05/2013 10:30

Të ngecësh në trafik dhe të kesh nevojë për të shkuar në tualet është një eksperiencë shumë e pakëndshme, por tashmë i është gjetur zgjidhja edhe këtij problemi.

Një hidraulik anglez ka ndërtuar një makinë-tualet që ka një motorr 140 kubikësh dhe ku mund të çlirohesh pa ndaluar udhëtimin.

33-vjeçari Colin Furze shpjegon: “Është e vështirë të kryesh nevojat personale në ecje e sipër, sidomos kur arrin shpejtësinë maksimale, por ky tualet i ka të gjitha. Letër higjienike, gazetë dhe mund të shkarkosh edhe ujin.”


“Jam hidraulik dhe jam mësuar me tualetet, kështu që mendova pse të mos bëja një tualet të lëvizshëm dhe ta bëja më të shpejtin në botë”, deklaroi Furze, i cili ka arritur shpejtësinë 88 km/h me tualetin e tij, por mendon se mund të kapë edhe 100 km/h.

Tualeti më i shpejtë në botë ka qenë Bog Standard. Ky tualet, i prezantuar në mars të vitit 2011 në “Lo Show Dei Record” në Itali, kapte shpejtësinë 68 km/h.

Tashmë Colin Furze do të bëjë një provë zyrtare ditën e shtunë në mënyrë që të futet në librin e rekordeve Guiness.

Top Channel