Sezonin e kaluar u eliminuan që në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, paraqitja e tyre e parë në këtë kompeticion në tetë vitet e fundit, e për këtë arsye arritja e Borussia Dortmund në finalen e madhe të Uemblit këtë sezon është një surprizë dhe për vetë lojtarët e saj.
Jakub Blaszczykowski, ose siç njihet ndryshe “Kuba”, nuk përbën përjashtim. Në një intervistë për uefa.com, mesfushori polak thekson se ndeshja ndaj Bayern Munchen është një event i madh për klubin verdhezi.
“Pothuajse asnjëri nga ne nuk ka luajtur më parë një ndeshje kaq të rëndësishme. Kemi bërë një sezon të mirë në Champions dhe besoj se do të fitojmë edhe finalen”, deklaroi 27-vjeçari.
Kuba mendon se avantazhi i Borussia është se luajnë si një skuadër: “Kemi mësuar nga dështimi i sezonit të shkuar dhe luajmë të bashkuar. Jemi në finale pasi jemi një skuadër e vërtetë.”
Finalja është arritur, por Kuba nuk ka menduar kurrë se ekipi i tij do të shkonte kaq larg: “Nëse do ma thonin në fillim të sezonit, nuk do e besoja. Jam tipi që nuk shoh shumë larg, por mendoj për momentin. E dija që për të arritur në finale duhej shumë punë dhe për këtë arsye jam i habitur, ashtu si të gjithë tifozët, që i shkuam këtij kompeticioni deri në fund.”
Top Channel