Dikur ishte e zakonshme që kapelet të përdoreshin vetëm në plazh. Sot, në çdo ambient, pavarësisht orës, mund të shohësh grupmosha të ndryshme me këtë aksesor.

Një element shumë individualizues sa i takon pamjes së jashtme.

Edhe në dyqane në kryeqytet vihet re një tendencë në rritje për përdorimin e kapeles:“Vitet e fundit vihet re një interes më i madh për kapelen. Në përgjithësi janë të rinjtë që blejnë, sidomos në verë. Në dyqanin tonë Cliché ofrojmë shumëllojshmëri kapelesh.”

Bien në sy ngjyrat e gjalla si për kapelet e plazhit, të përditshme apo edhe ato ceremoniale: “Kapelet janë punime të lehta, madhësi normale. Ato të plazhit janë më të mëdha dhe të zbukuruara me lule.”

Është e rëndësishme të përzgjedhësh kapelen e duhur dhe sugjerimet e sezonit sjellin tendenca shumë elegante: “Tendencë këtë vit janë kapelet e tipit panama. Mund t’i vënë edhe djemtë edhe vajzat.”

Kapele të cilat i sheh në pasarela apo revistat më të mira te modës mund t’i gjesh edhe në Shqipëri, siç ishin edhe këto që u prezantuan në “Cliche”.

Tatjana Shestani, “Kontesha” me kapele

Cdo kapele përmban një kujtim nga jeta e saj! Secila prej tyre ka një histori. Shumë i ka blerë e po aq të tjera i janë dhuruar duke ditur pikën e saj të dobët.
 
Tatjana Shestani është dirigjentja e cila me shumë stil guxoi të vërë një kapele për të parën herë në një periudhë kur askush tjetër nuk e bënte. Ka vënë kapele 35 vjet më parë dhe prej atëherë nuk ndahej dot duke u shndërruar në një prej dashurive të saj më të mëdha.

Që në momentin që e vuri kapelen e dinte se do të merrte pa e kërkuar vëmendje dhe në kryqytet e thërrisnin “Kontesha”.

Koleksioni i saj i kalon 60 kapele, por sërish kur kalon përpara dyqaneve nuk i reziston dot tundimit për të blerë një të re. I është dashur të kursejë për gjëra të tjera, por asnjëherë për kapele. Ka udhëtuar shumë prej profesionit dhe nga çdo vend ku ka shkuar ka sjellë një të re.

Sepse ajo e di, siç ka thënë dhe një prej femrave model në jetën e saj, Sofia Loren, “një femër me kapele nuk harrohet lehtë”!

Të famshëm që nuk rrinë dot pa kapele

Kapelja është një aksesor që të lejon të shfaqësh më shumë nga personaliteti yt, të jep më shumë stil dhe të mbron nga dielli e i ftohti.

Disa prej ikonave të ekranit e vënë kapelen sepse është një aksesor në modë, të tjerë që vëmendja të përqëndrohet tek kapelja dhe jo në portretin pa “make up”, ndërsa për disa prej tyre, si për të gjithë ne, është një mënyrë për tu mbrojtur nga dielli.
 
Aktorja Cameron Diaz pëlqen nga kapelet sportive tek ato sensuale. Forma e fytyrës së saj është katrore dhe kapelja balancon tiparet e fytyrës, përveçse kompleton pamjen.

Justin Timberlake është gjithmonë në modë me zgjedhjet që bën prandaj nuk është e pazakontë që ish-anëtari i grupit ‘N’SYNC’ vë shpesh kapele pa marrë parasysh tendencën e momentit ai di të bëjë zgjedhjen e duhur.

Ajo nuk vesh asgjë nëse nuk është pjesë e koleksionit të fundit. Kim Kardashian nuk mundi t’i kthejë dot kurrizin tendencës së kapelës për të cilat është komentuar.
 
Këngëtarja e muzikës pop Lady Gaga nuk vë asnjëherenjë kapele që mund ta veshë edhe dikush tjetër. Kapelet e saj janë butaforike, të mbuluara me pupla ose edhe me mish. Kjo për tu kombinuar me pjesën tjetër të veshjes.
 
Cdo veshje e Demi Lovato është e kombinuar me një kapele. Ashtu  si reperi  LL Cool J, i cili shumë rrallë shihet në publik pa kapelen me nënshkrimin “Kangol”.

Kapelet e shtrenjta

Për disa mund të duket qesharake, për të tjerë e pabesueshme, por ndodh edhe kështu. Kur kapelen e konsideron pjesë të rëndësishme të veshjes, për të mund të shpenzosh miliona dollarë…
 
Shumë shkëlqim dhe vetëbesnim për atë që e vë në kokë kapelen “Chapeau d’Amour” (Kapelja e dashurisë), dizenjuar nga stilisti Louis Mariette dhe prezantuar nga aktorja Alicia Witt në Londër. Frymëzuar nga natyra, endur me platin dhe mbuluar me diamante, kapelja është vlerësuar 2.700.000 $.

Kapelja “Deep Blue Sea” u prezantua në ankand në 10 nëntor të 2010-s në San Francisko. Është produkt i bashkëpunimit të kapelebërëses australiane Ann Maree Willett dhe çiftit Vicki dhe Peter Drackett, minatorë. E punuar e gjitha me dorë, e dekoruar me pupla dhe 26 opalë të gdhendur dhe të punuar me argjend të pastër e flori 18 karat, “Deti i thellë blu” kushton rreth $ 200,000.

Top Channel