Metro për takime dashurie

Takimet e rastësishme në metro, që më pas shndërrohen në romanca janë skenarë klasike të filmave klasikë. Në jetën reale, vështirë se të rastis të ndeshesh sërish me të njëjtin person që ke flirtuar për pak sekonda apo minuta në një metro, e këto mundësi thuajse zerohen kur bëhet fjalë për kryeqendra urbane me miliona banorë.

Por për të dhënë një shans të dytë ka menduar “Ropid”, shoqëria që manaxhon rrjetin e metrove në kryeqytetin çek, Pragë. Ajo njoftoi nisjen e një linjave të vecanta, vetëm për personat “singel”. Disa vagonë të cdo treni do të rezervohen vetëm për personat beqarë dhe ambienti do jetë përshtatur në mënyrë të tillë që të thyejë akullin e njohjes së parë.

Beqarët mund të shkëmbejnë numrat e telefonit, t’i ofrojnë njëri-tjetrit kafe a çaj, sigurisht kundrejt së njëjtës pagesë, atë të biletës së metrosë.

Nisma e vecantë pritet të hyjë në fuqi ditën e parë të 2014-ës dhe sipas mediave çeke synon që të tërheqë qytetarët drejt përdorimit të transportit publik në tërësi dhe metrove në veçanti. Megjithatë, ajo që mbetet e paqartë është fakti se si do të vërtetohet që personi që hyn në kategorinë “single” është i tillë.

Top Channel