Itali, “arrestohet” qenushi

18/05/2013 00:00

Një qenush i llojit dhelpër, 5 vjeç dhe me peshë 2 kile e gjysmë bashkë me gëzof, ka përfunduar në “arrest shtëpie”.

Kafsha e vogël jeton në lokalitetin San Vitore, në Itali, dhe prej disa ditësh ndodhet e burgosur në shtëpinë e padrones së saj.

Kjo, pasi kryetari i bashkisë së qytezës ka udhëruar sekuestrimin e kafshës, pasi kjo e fundit kafshoi një fqinje të shtëpisë, e cila u paraqit në spital dhe më pas bëri denoncimin në polici.

Një veteriner shkoi të vizitonte qenushin dhe kur e pa nuk mundi të bënte gjë tjetër veçse të qeshte me pamjen e tij të butë.

Por ligji është ligj dhe në këtë mënyrë do të zbatohet edhe ndaj kafshës. Pas kërkesës së të zonjës për ta mbajtur atë nën mbikëqyrje në shtëpinë e saj, kryetari i bashkisë dha konsensusin.

Kështu, qenushi do të qëndrojë për një periudhë kohore në një ambient të krijuar posaçërisht për të, në mënyrë që të mos ketë mundësi të sulmojë njerëzit.

Top Channel