Kur “arti” përfundon në dyert e gjykatës

17/05/2013 13:50

Banorët e një blloku rezidencial banesash në Manhattan u bashkuan në ngritjen e një padie kundër një fotografi, i cili në idenë e tij të të bërit art, kapi imazhe të jetës së përditshme të banorëve pa dijeninë e tyre.

Arne Svenson, i vendosur përballë kësaj ndërtese më një apartat fotografik profesionist në dorë, realizoi disa foto të një cilësie të lartë të banorëve të ndryshëm.

Në disa prej tyre, ata shfaqen brenda banesave të tyre duke kryer aktivitete të përditshme, si shikimi i televizorit, vënia e fëmijëve në gjumë, pastrimi apo dremitja.

Pas shkrepjeve, Svenson ndërtoi postera 170x65cm, të cilat i nxorri në shitje për 7 500 dollarë secilin.

Megjithatë, banorët, të irrituar nga ky dhunim i të drejtës së tyre për respektimin e intimitetit të jetës së tyre të përditshme, ngritën në gjykatë një kërkesë për dëmshpërblim dhe heqje e të gjithë fotove nga qarkullimi.

Nga ana e tij, fotografi 60-vjeçar, që jeton përballë kompleksit, pretendon se e gjitha është bërë në emër të artit dhe se asnjë e drejtë nuk është shkelur, duke qenë se ai ka fotografuar hapësira publike ose brenda banesave, që në çdo rast ai kishte mundësinë të shihte vazhdimisht me sy të lirë.

Sfidues, Svenson u mbrojt nga akuzat, duke u kundërpërgjigjur me akuza: “Ata (banorët) nuk po e bëjnë për shkak të shkeljes së privacisë, por për para”.

Top Channel