Vendi i ëndrrave apo vendi i makthit. Le të quhet si të dojë, ajo që kërkuan ndërtuesit e saj, u arrit; vëmendja e publikut.

Bëhet fjalë për shtëpinë “Barbie”, kukullës më të famshme në botë që tashmë ka edhe adresë, vetëm dy hap larg Alexander Platz në Berlin të Gjermanisë.

Në 2500 metër katrorë është ndërtuar gjithcka me ngjyra të ndezura. Ideatorët kanë menduar gjithcka,  që nga mobilimi me ngjyra të ndezura e deri tek detajet e tjera më të vogla. “Barbie Dream House” është një shëmbëlltyrë në përmasa reale e shtëpizës në miniaturë që është shitur me miliona herë në mbarë botën për 50 vite me radhë.

Qindra kureshtarë vizituan shtëpinë kundrejt një pagese prej 15 eurosh në ditën e parë të hapjes së saj. Por mes vizitorëve kishte edhe nga ata të “paftuarit”. Aktiviste të grupit “Femen” dhe lëvizja “Occupy Dream House”, që lindi rastësisht në internet, protestuan me pankarta në duar përpara shtëpisë Barbie.

Protestuesit e quajtën projektin e shndërruar në realitet si ofendim ndaj femrave, narcizëm, fashizëm e të tjera terma si këto. “Occupy Dream House” bëri thirrje për familjet që të mos vizitojnë me fëmijët e tyre këto ambiente, për të shmangur, sipas kësaj lëvizje, edukimin “seksit” të fëmijëve të tyre.

          Life on plastic is not fantastic! (Jeta në plastikë nuk është fantastike)

Top Channel