Loto “6 nga 39”, si ndahet fondi i çmimeve

15/05/2013 00:00

Prej më shumë se një muaji të gjithë shqiptarët në moshë madhore kanë mundësinë të marrin pjesë dhe të provojnë fatin në lojën Loto “6 nga 39” të Lotaria Kombëtare.

Prej më shumë se një muaji të gjithë shqiptarët në moshë madhore kanë mundësinë të marrin pjesë dhe të provojnë fatin në lojën Loto “6 nga 39” të Lotaria Kombëtare. Deri tani fati nuk i ka buzëqeshur askujt për të fituar çmimin e madh prej 100 milionë lekë të vjetra. Lotaria Kombëtare garanton sërish për shortin e radhës të Loto “6 nga 39”, se fondi për çmimin e parë do të jetë 100 milionë lekë të vjetra. Kjo shumë garantohet për të gjithë lojtarët nga vetë kompania ndërsa shuma në dispozicion për fituesit e kategorisë së dytë dhe të tretë, pra ata që parashikojnë saktë respektivisht 5 dhe 4 numra, është në varësi të numrit të biletave të shitura. Sa më shumë bileta të shiten në një shorte, aq më i madh është fondi i fitimit në dispozicion  për fituesit e kategorive të mësipërme. Në të gjithë botën formati i një lotarie të tillë është i bazuar në çmimin e madh, i cili në Shqipëri fillon nga 100 milionë lekë të vjetra.

Procedura për çmimet fituese në Loto “6 nga 39” është përcaktuar që në fillim të lojës. Skema që përcakton çmimet është shumë e thjeshtë. Lotaria Kombëtare garanton se 50 % e xhiros që vjen nga shitja e biletave kalon në favor të fituesve.

Fillimisht nga shuma e mbledhur paguhen fituesit e kategorisë së katërt (3 numra të saktë – 211 lekë për çdo biletë fituese) dhe të pestë (2 numra të saktë- 100 lekë për çdo biletë fituese). Çmimet për këto dy kategori do të jenë gjithmonë njësoj.

Shuma që mbetet pasi janë paguar çmimet e kategorisë së katërt dhe të pestë, i shpërndahet fituesve të kategorive të tjera. Sipas procedurës, 75 % e kësaj shume shkon për çmimin e kategorisë së parë (6 numra të saktë); 12.2 % shkon për çmimin e kategorisë së dytë (5 numra të saktë) dhe 12.8 % shkon për çmimin e kategorisë së tretë (4 numra të saktë). Përmes kësaj formule matematikore, çdo javë Lotaria Kombëtare përcakton shumat që merr secila biletë fituese në Loto “6 nga 39”.

Çmimi i madh prej 100 milionë lekë të vjetra fillimisht garantohet nga vetë kompania Lotaria Kombëtare, pjesë e grupit “Austrian Lotteries” dhe jo nga shitja e biletave. Në rastet kur nuk ka fitues të kategorisë së parë, fondi i akumuluar i çmimit për këtë kategori kalon për shortin tjetër. Kjo procedurë ndiqet deri në momentin që në fondin e çmimit të kategorisë së parë  të lojës grumbullohen 100 milionë lekë të vjetra.

Në momentin që fondi për çmimin e parë do të arrijë vlerën 100 milionë lekë të vjetra, dhe nëqoftëse nuk kemi fitues të çmimit të parë,  çmimi i madh do të rritet në çdo javë në mënyrë progresive sipas sistemit të “jackpot”. Në rast se do të ketë fitues të çmimit të madh përpara se të plotësohet fondi, pagesa e këtij çmimi do të bëhet nga vetë kompania.

Vlerat e sakta që jepen për fituesit e secilës kategori mund t’i gjeni të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë (lotaria.al); pikat e shitjes dhe në media. Ndërkohë biletat për shortin e radhës të Loto “6 nga 39” mund të gjenden në të gjithë Shqipërinë: qendra tregtare, supermarkete e dyqane të ndryshme kudo ku shihni logon Lotaria Kombëtare dhe logon e produktit Loto “6 nga 39”.

Çdo ditë të diel, në mbrëmje, të gjithë personat e interesuar mund të ndjekin drejt për drejtë shortin në TV për të parë nëse do të jenë të përzgjedhurit e fatit për të qenë milionerë. Të gjitha shortet e Loto “6 nga 39” zhvillohen në praninë e një përfaqësuesi të Ministrisë së Financave, noterit dhe përfaqësuesit të Lotarisë Kombëtare.

Ku mund të tërhiqen çmimet

Të gjithë lojtarët që do të fitojnë deri në 15 000 Lekë, çmimi mund të tërhiqet në pikat e shitjes, duke filluar nga dita pasardhëse  e shortit.

Çmimet e mëdha, nga 15 001 Lekë deri në 100 000 Lekë mund të tërhiqen në pikat ku paguhen çmimet e mëdha. Më shumë informacion për vendodhjen e këtyre pikave gjeni te faqja zyrtare e Kompanisë (lotaria.al)

Çmimet më të mëdha se 100 000 Lekë mund të tërhiqen pranë Zyrave Qendrore të kompanisë Lotaria Kombëtare pasi ka përfunduar periudha e afatit të reklamimit.

Top Channel